Vlora refuzon Kupën e Pavarësisë
FSHF: Vendim absurd, i pakuptimtë

Vlora refuzon Kupën e Pavarësisë<br />FSHF: Vendim absurd, i pakuptimtë
‘Kupa Pavarësia” nuk do të zhvillohet në Vlorë, që është edhe qyteti simbol i kësaj feste mbarëshqiptare. Përpos krizës së rezultateve këtë edicion në kampionat, Flamurtari vazhdon që të prodhojë lajme negative, teksa ka refuzuar zyrtarisht zhvillimin e Kupës Pavarësia për këtë edicion duke e justifikuar me problemet nga moti i keq.

Kjo ka bërë që aktiviteti të zhvendoset në Durrës, teksa ekipi i Flamurtarit të Vlorës do të zëvendësohet nga Partizani B, ndërsa pjesëmarrëse në garë do të jenë edhe ekipi i Shkëndijës së Tetovës nga Maqedonia, Feronikeli nga Kosova edhe ekipi Otrant nga Ulqini. 

Pas refuzimit të Flamurtarit për mikpritjen e Kupës së Pavarësisë me justifikimin e dëmtimit të tapetit të fushës nga moti i keq, ka reaguar FSHF duke e cilësuar si absurd dhe të pakuptimtë vendimin.
 
Reagimi i FSHF
Federata Shqiptare e Futbollit, njofton opinionin dhe mediat, se edicioni i 7 të i Kupës “Pavarësia”, nuk do të zhvillohet si gjithmonë në Vlorë, në stadiumin “Flamurtari”. Shkak i prishjes së kësaj tradite disa vjeçare, ka qenë refuzimi i klubit “Flamurtari”, i cili nuk vë në dispozicion të këtij turneu mbarëkombëtar stadiumin e tij.
 
Megjithë këmbënguljen e FSHF, si organizatore e aktivitetit, drejtuesit e klubit vlonjat nuk kanë pranuar që ky aktivitet të zhvillohej atje, duke bërë që i gjithë ky aktivitet të vihej në rrezik.
 
Për më tepër që skuadrat pjesëmarrëse “Ferronikeli” nga Kosova, “Shkëndija” e Tetovës dhe “Otrant” nga Ulqini, kishin konfirmuar pjesëmarrjen dhe kishin nisur përgatitjet për këtë turne.
 
Federata Shqiptare e Futbollit, kishte marrë të gjitha masat dhe kishte bërë përgatitjet e saj që fillojnë nga prenotimi i hoteleve, përgatitja e materialeve publicitare etj.
 
Por me anë të një shkrese zyrtare Klubi i Futbollit “Flamurtari”, njoftoi FSHF, se për shkak se tapeti i bari është i ri dhe kushtet meterologjike pritet të jenë të rënduara edhe në ditët në vazhdim, Kupa “Pavarësia” të mos zhvillohet në stadiumin “Flamurtari”.
 
Kupa “Pavarësia” ka hyrë në kalendarin e aktiviteteve zyrtare të FSHF, si një aktivitet nëpërmjet të cilit shqiptarët nga të gjitha trevat mblidhen për të luajtur dhe festuar së bashku në një ditë simbolike siç është Dita e Flamurit.
 
Për këtë arsye është zgjedhur gjithmonë Vlora. Kupa “Pavarësia” e zhvilluar për gjashtë vjet me rradhë në këtë qytet, ka qenë pjesë e festimeve që organizohen atje, për këtë ditë ditë të shënuar për shqiptarët.
 
Por fatkeqësisht, kjo traditë e bukur është prishur nga një vendim i Klubit të Futbollit “Flamurtari”, për të mos lejuar që Kupa “Pavarësia”, të zhvillohet në stadiumin e qytetit të Vlorës.
 
Pavarësisht këtij qëndrimi të Klubit "Flamurtari", të pakuptimtë, absurd dhe aspak mikpritës (ç'ka cënon edhe traditen zemerhapur të qytetarëve të Vlorës), Federata Shqiptare e Futbollit, mori menjëherë masa që Kupa “Pavarësia”, të zhvillohej ne nje qytet tjeter. Në kohë rekord ajo përgatiti gjithçka, që aktiviteti të zhvillohej normalisht.
 
U ra dakord të luhet në Durrës dhe në kohë rekord u siguruan hotelet dhe gjithçka tjetër. Një falenderim i veçantë shkon edhe për Klubin e Futbollit “Teuta”, që menjëherë vuri në dispozicion të gjithë infrastrukturën e vet për organizimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm.
 
Ajo gjeti mirëkuptimin e klubeve pjesëmarrëse “Ferronikeli”, “Shkëndija” dhe “Otrant”, të cilat u shprehën të gatshme, që aktiviteti të zhvillohet normalisht.
 
Pra Kupa “Pavarësia”, në edicionin e 7 të saj, do të zhvillohet në Durrës në stadiumin “Niko Dovana”, në orën 12.00. me pjesëmarrjen e 4 skuadrave “Ferronikeli” nga Kosova, “Shkëndija” e Tetovës dhe “Otrant” nga Ulqini dhe “Partizani B”, nga Shqipëria.


d.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën

A e dinit, ja cilat u shqime nuk duhet t’i kombinoni kurrë me njëra-tjetrën