Drejtoresha e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, Pranvera Resulaj, tha për ATSH-në se, ky numër është bilanci i aktivitetit në terren për harkun kohor prej datës 7 deri në 12 shtator, ndërkohë që veprimet po intensifikohen në vazhdimësi. Sipas Resulajt, gjatë kësaj jave u konstatuan 138 subjekte me shkelje, si mungesë e kasave fiskale apo mos sigurim i punonjësve, për të cilat u aplikuan penalitete të ndryshme, mes të cilave gjoba dhe konfiskime.
Kështu, u aplikuan 96 sanksione financiare(gjoba) në masën respektive 20 mijë deri në 50 mijë lekë(të reja), si edhe 48 raste konfiskimesh të subjekteve që u gjetën pa nipt. Krahas kësaj, për 16 subjekte të tjera, ku mungonin faturat, u aplikua masa e konfiskimit për sasinë e mallit të pambuluar me to.
Pjesë e verifikimeve në terren në këtë aksion janë edhe punonjësit e pa siguruar, një shkelje që është ndëshkuar me gjoba të konsiderueshme. Vetëm gjatë periudhës në fjalë, u evidentuan 94 punonjës të pa formalizuar, për të cilët u aplikuan sanskione financiare deri në 50 mijë lekë.
Aktualisht, janë 54 grupe që janë zhvendosur në terren prej një jave, në territorin që përfshin në juridiksionin e vet Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave Vlorë, që nis nga derdhja e lumit Vjosë deri në fshatin Qeparo.
Sipas Resulajt, e gjithë administrata tatimore është zhvendosur në terren për të përmbushur tërësisht objektivat e këtij aksioni kombëtar. Grupet e kontrollit janë të përbëra përvçse me punonjës të organeve tatimore edhe me ata të Inspektoriatit Shtetëror të Punës, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, të cilët u trajnuan fillimisht lidhur me procedurat që do të ndjekin gjatë këtij aksioni.
Veprimet, që u përqëndruan fillimisht në hapësirën urbane, po shtrihen gradualisht në të gjithë pjesën tjetër.
"Jemi mjaft optimistë se, aksioni i paralajmëruar kundër informalitetit në ekonomi dhe që drejtohet nga Kryeministri, Edi Rama, do t'i japë tërësisht efektet e veta për t'i dhënë fund anomalisë që ekziston sot", u shpreh Resulaj.
Ndërkohë, aksioni i paralajmëruar është shoqëruar me shtimin e fluksit të rregjistrimit të bizneseve pranë Qendrës Kombëtare të Rregjistrimit. Sipas burimeve nga QKR, në sportelet e saj rregjistrohen mesatarisht çdo ditë 100 subjekte të reja. Vetëm në 3 javët e fundit, janë përfshirë në sistem 1750 subjekte, që përbën një tregues shumë të lartë në këtë drejtim.
Pranë QKR po punohet me mjaft intensitet dhe me orar të zgjatur për të përballuar fluksin e kërkesave të qytetarëve, të cilët kanë krijuar rradhë. Prej mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes sportelet e QKR janë të hapura, por, pavarësisht kësaj, është mjaft e vështirë për të përballuar volumin e punës që ka ardhur në rritje.
Në rradhë presin qytetarë nga i gjithë rajoni që mbulon Drejtoria Rajonale e Tatim Taksave, nga derdhja e lumit Vjosë, në fshatin Qeparo, ku, aktualisht operojnë më shumë se 6200 subjekte të rregjistruara deri tani në sistem.
Përfshirja e këtyre subjekteve në skemën e tatim paguesve, parashikohet të shoqërohet me rritje të të ardhurave, të cilat praktikisht nuk vileshin më parë, pavarësisht se këto biznese ushtronin aktivitetin e tyre në qytet dhe zonat rurale.
Një aksion i ngjashëm, produkt i bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatim Taksave dhe Drejtorisë së Policisë, u zhvillua në muajin korrik në qytetin e Vlorës.
Ai u shoqërua me kontrolle në subjekte të ndryshme me qëllim ndëshkimin e veprave penale në fushën e tatim-taksave, fshehjen e të ardhurave, punësimin e paligjshëm, informalitetin dhe evazionin fiskal. Gjatë tij u bënë objekt i kontrolleve 512 subjekte fizike e juridike, prej të cilave 198 rezultuan me shkelje të ndryshme, çka u shoqërua edhe me masat përkatëse që parashikohen në ligj mes të cilave sanksione financiare, konfiskime të mallrave, penalizim të administratorëve të dy hoteleve në bregdet etj.