Policia ka shoqëruar dhe më pas liruar tre persona pas alarmit se po tentohej që të grabitej një kazino pasditen e sotme. Pas sinjalizimit se tre persona janë futur në kazino për të grabitur, policia ka arritur menjëherë, ndërsa tre personat që ndodheshin brenda në ato momente janë shoqëruar.

Personi që dha alarmin sipas policisë ka fikur telefonin, ndërsa nga kazinoja deklarohet se nuk ka ndodhur asnjë tentativë grabitje. Policia vijon hetimet për sqarimin e rastit dhe identifikimin e personit që dha alarmin, pasi me shumë mundësi ka qenë fals.

Njoftimi i policisë Vlorë
Lidhur me një lajm se në lagjen ''Lef Sallata'', është tentuar të grabitet një kazino, bëjmë me dije se:

Në Sallën Operative Vlorë ka ardhur një telefonatë e cila ka njoftuar se në një kazino janë futur dy persona me armë.

Menjëherë në drejtim të adresës së dhënë kanë shkuar forca të shumta policie, si dhe është tentuar disa herë të kontaktohet me telefonuesin por telefoni rezultoi i fikur.

Telefonta ishte e rreme pasi nga veprimet hetimore paraprake, ka rezultuar se në kazinonë në fjalë nuk ka ndodhur asnjë grabitje apo tentativë e tillë.

Shërbimet e Policisë, për siguri kanë ushtruar kontroll dhe kanë shoqëruar tre persona të cilët ishin pa kartë identiteti me vete ku pas verifikimeve të kryera janë lënë të lirë.

d.b/shqiptarja.com