VLORE- Policia kufitare gjatë një operacioni në orët e vona të mbrëmjes së 15 janarit 2014  ka sekuestruar rreth 1.4 ton marijuanë në Radhimë e cila kishte si destinacion Italinë.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë në momentin kur lënda narkotike e transportuar me një furgon tip ‘Volkswagen’ me targa AA960DV do të ngarkohej në gomone.

Makina është konstatuar në vendin e quajtur Cekodhima në fshatin Radhimë.

Operacioni është kryer nga policia kufitare në bashkëpunim me forcat speciale Delta dhe Guardia di Finanza.

Gomonia mundi të largohej kur pikasi mbërritjen e policisë ndërsa kjo e fundit bllokoi furgonin në të cilën ndodhej lënda narkotike.

"Gjatë kontrollit të territorit nga patrulla tokësore në vendin e quajtur Cekodhima në fshatin Radhimë është konstatuar automjeti tip fugon Volkswgen dhe rreth 200 m në brendësi të detit një mjet lundrues i ankoruar me disa persona në bord të cilët sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë janë larguar menjëherë në drejtim të Karaburunit".- thuhet në njoftimin e policisë.

Po kryhet krehja e gjithë territorit dhe vijës bregdetare si dhe është  komunikuar edhe me autoritetet policore greke.  Nga Strukturat e Policisë së Kufirit është bërë i mundur sekuestrimi i fugonit me targa AA960DV dhe lëndës narkotike “Canabis sativa” që ishte brenda e cila është rreth 1.4 ton.

Forcat e policisë kanë shpallur në kërkim trafikantët e lëndës narkotike.

Ndërsa me herët policia kufitare e Durrësit sekuestroi rreth 15 kg hashash e fshehur në sediljen e pasme të një automjeti tip 'Bmw' me targa AA992HU. Policia ndaloi drejtuesin e mjetit, shtetasin Erion Leka banues në lagjen numër 11 në qytetin bregdetar të Durrësit.


makina me droge ne vlore
(Foto: Furgoni tip 'Volkswagen' që u ndalua me sasinë e drogës)
Shikoni FOTO të tjera


Fillimisht  u tha se sasia e sekuestruar shkonte rreth 1 ton drogë, sot policia saktësoi shifrën duke deklaruar se lënda narkotike e sekuestruar është 1.4 ton.

Redaksia online
(d.d/shqiptarja.com)