VLORE - Legalizimi në mënyrë të paligjshme i objeketeve në një zonë të gjelbër në Vlorë, ka sjellë dënimin me 1 vit e 6 muaj burg të ish-drejtorit të ALUIZNI-t Vlorë Roland Tafilaj dhe me 1 vit burg ish-përgjegjësin e sektorit të Urbanizimit Besnik Zëra. Veç këtij dënimi gjykata e Vlorës i ka hequr të drejtën dy ish-zyrtarëve që të mos ushtrojnë funksione publike për 3. Sipas akuzës të dy zyrtarët kanë abuzuar me detyrën, pasi kanë legalizuar objekte infomale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të shtetasve Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati, objekte këto që sipas akuzës janë ndërtuar me lejë të falsifikuar nga Shpëtim Gjika.

Momentalisht këta tre persona së bashku me kryebashkiakun e Vlorës Shpëtim Gjika, janë të pandehur lidhur çështjen e ndërtimeve të kryera në zonën e quajtur lulishte “Tre Racat” dhe pranë Portit Detar, Vlorë. Sipas akuzës në përfundim të hetimeve paraprake lidhur me këtë procedim penal është arritur në përfundimin se i pandehuri Roland Tafilaj në cilësinë e ish-Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Aluzini-t Vlorë, si dhe i pandehuri Besnik Zërra, në cilësinë e ish-Përgjegjësit të Sektorit të Urbanizimit, pranë Drejtorisë Rajonale të ALUIZNI-t Vlorë, kanë kryer secili veprën penale “shpërdorimi i detyrës”.

Të dy të pandehurit e mësipërm kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kualifikimin për legalizim të tre objekteve infomale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të shtetasve Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati. Në këtë rast procedura e legalizimit duhej që të ishte ndërprerë dhe objektet dhe parcelat ndërtimore informale duhet që të ishin përjashtuar nga legalizimi, pasi ndodhen në një zonë për të cilën ekziston një studim urbanistik të miratuar me vendim të KRRTRSH-së, në të cilën është parashikuar të jenë zonë e gjelbër ku nuk lejohet kryerja e asnjë lloj ndërtimi.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 1 Tetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)