Përpos Vlorës, probleme të shumta ka edhe në Fier, në Ferras janë evakuuar disa familje nga uji që ka përfshirë banesat e tyre. Prefekti i Fierit, Baki Bala në një prononcim për Report Tv nga fshati Ferras deklaroi se janë 45 banesa që kanë prani uji nga përmbytjet, ndërsa 8 familje janë evakuuar. Ai u shpreh se janë marrë masat për të shmangur rrezikun, pasi në terren janë edhe 150 ushtarë të FA. Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje dhe pasoja dhe në zona të tjera të vendit.
Burrë e grua një orë në ujë shpëtohen me gomone nga FA
Dita e sotme ka qenë dramatike për një çift në Vlorë, që për pak sa nuk humbën jetën. Burrë e grua të bllokuar prej më shumë se një orë nga rrjedha e lumit Shushicë, pasi furgoni me të cilin ata udhëtonin u mbulua nga uji, janë shpëtuar nga Forcat e Armatosura. Ka qenë rrjedha e lumit Shushicë e cila ka rrëmbyer furgonin duke e mbuluar në pak sekonda. Pas minutave të tëra paniku, Liljana dhe Bashkim Muhaj janë shpëtuar me një gomone nga Forcat e Armatosura, ku në ndihmë të ekipeve të emergjencës mbërriti edhe një helikopter "Cougar" i FA.
Dy personat që udhëtonin në furgon dolën nga automjeti dhe qëndruan mbi çatinë e tij, deri në mbërritjen e ekipeve të emergjencës të cilët iu erdhën në ndihmë përmes helikopterit të FA dhe një gomonie. Në videon e siguruar ekskluzivisht nga Report Tvdëgjohet gruaja e cila bën thirrje për ndihmë. "Lajmëroni o çuna" ishte thirrja e saj drejtuar banorëve të cilët ndodheshin në breg.
Ndërsa disa çaste më pas atyre iu vjen në ndihmë helikopteri i FA, siç duket edhe nga pamjet ekskluzive të siguruara nga Report Tv, por përmes helikopterit misioni ishte i pamundur për shkak të trysnisë së ajrit dhe u desh ndërhyrja e gomones. Pas shpëtimit nga forcat e ushtrisë çifti është dërguar në Tiranë për ndihmë të specializuar, pasi për ndihmë pasi gjendjes së shokut që kaluan.
[gallery]25489[/gallery]
SITUATA NE QYTETET E TJERA TE VENDIT
Fushë Krujë
Lumi Ishëm në Fushë-Krujë ka dalë nga shtrati duke përmbytur 10 banesa, ndërkohë sipas burimeve 80 familje janë të rrethuara dhe 35 të izoluara nga uji në fshatrat Murqine, Bilaj, Mallkuc, Likmetë. Gjithashtu dhjetëra hektarë toka bujqësore, gjenden nën ujin e lumit Ishëm që prej mbrëmjes së të shtunës. Banorët, kanë bërë apel për ndihmën e autoriteteve të Emergjencave Civile, pasi katet e para të 10 banesave janë pushtuar nga uji.
Qarku Berat
Në qarkun e Beratit, dalja nga shtrati e lumit Osum ka shkaktuar përmbytjen e tokave bujqësore dhe banesave në fshatin Moravë dhe në lagjen “Dafinat” pranë Urës Vajgurore. Deri në mesditë, në fshatin Moravë uji ka përmbytur totalisht katër banesa, duke dëmtuar të gjitha orenditë shtëpiake. Banorët tregojnë për Report Tv dëmet që u janë shkaktuar, ndërsa thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë edhe në rastet e tjera kur janë përmbytur.
Divjaka
Ndërkaq, në Divjakë, një familje është evakuuar nga policia, pasi banesa e tyre ishte rrethuar tërësisht nga uji. Nga reshjet e shumta, lumi Shkumbin doli nga shtrati, por falë ndërhyrjes së policisë i mundur evakuimi ne kohe i pjesëtarëve te kësaj familje si dhe bagëtive.
Mati
Për shkak të reshjeve me intensitet të lartë, edhe lumi Mat ka dalë nga shtrati duke rrezikuar një banesë tre katëshe në Klos. Ndërtesa ndodhet vetëm pak metro larg bashkisë së Klosit. Familja që banonte në ndërtesën tre katëshe është zhvendosur te të afërmit deri në normalizimin e situatës.
d.b/shqiptarja.com