VLORË - Një flamur i formuar me letër në të cilin ishin vizatuar me stilolaps blu një terrorist, një kallashnikov dhe një granatë me mbishkrimin "ISIS - Allahu Ekber" ka vënë në alarm policinë e Vlorës. Flamuri letër u gjet në pjesën e jashtme të dritares së një kioske ku shiten gazeta në rrugën "Osman Haxhiu" pranë stacionit të autobusit në qytetin bregdetar.

Me të parë mbishkrimin ISIS gazetashitësi njoftoi blutë e Vlorës të cilat sekuestruan flamurin. Ende nuk dihet se cilët janë autorët e këtij veprimi.

isis vlore

Policia ka nisur hetimet për të mësuar nëse bëhet fjalë për një shaka adoleshentësh apo ndonjë kërcënim konkret. Megjithatë, paraprakisht dyshohet që vizatimi të jetë bërë nga nxënës të shkollës 9-vjeçare aty pranë, pasi policia ka dyshime se fleta e bardhë me të cilën është formuar flamuri është grisur nga ndonjë libër shkolle.

Pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, edhe Shqipëria u përfshi nga një valë alarmesh për  sulme të mundshme terroriste. Madje për disa kjo u kthye në një "lojë abuzive" pasi të shumta ishin njoftimet për bombë në institucione të ndryshme kryesisht në Tiranë, të cilat rezultuan të gjitha false. Edhe në Korçë pak ditë më parë, u konstatuan disa mbishkrime me fjalën ISIS.


Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)