Vendimi është marrë nga qeveria, e cila ka kompensuar edhe banorët e këtij pallati. Ndërkaq që mëngjesin e sotëm, tek kompleksi “Jon”, kanë mbërritur mjetet e INUK të cilat kanë nisur edhe prishjen e murit rrethues. Ndërkaq, Policia e Shtetit, nuk lejon asnjë person që të hyjë në ambientet e kompleksit “Jon”.
Rreth orë 15:00 nis nxjerrja e mobiljeve nga ana e banorëve të këtij kompleksi.
15:00 - NIS NXJERRJA E ORENDIVE NGA KOMPLEKSI "JON"
Ka nisur rreth orës 15:00 nxjerrja e orendive nga shtëpitë e banuara dhe mobiluara në kompleksin "Jon", i cili me vendim qeverie dje është vendosur të shembet bashkë me ndërtime të tjera të paligjshme nga Uji i Ftohtë te Tuneli në Vlorë. Familjarët kanë filluar nxjerrjen e orendive nga pallati, ndërsa INUK u ka lënë 5 ditë afat për këtë gjë, ndërsa kreu i INUK vijon të ndjekë operacionin. Deri tani vihet re se nuk ka pasur asnjë revoltë nga ana e banorëve.
(Në foto: Gjatë zbrazjes së banesave të kompleksit Jon dhe ngarkimit të mobiljeve).
ORA 10:50 BASHA: KJO ËSHTË NJË ÇËSHTJE JURIDIKE
I pyetur nga gazetari i A1 Report, Arsen Rusta, nëse Lulzim Basha, kreu i Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht edhe dhëndri i një prej pronarëve të pallatit në Vlorë, në lidhje me vendimin për shembjen e tij, ai tha se, kjo është një çështje juridike. “Çështje për të cilat pronarët dhe banorët kanë ndihmë juridike. Ata kanë çfartë për të thënë për këtë rast”.
ORA 09:45 PALLATI I “BASHËS”, ASNJË BANOR NUK NDODHET ATY
Mjetet e rënda të INUK po vazhdojnë prishjen e murit rrethues dhe të pishinës së pallatit të “Bashës”. Korrespondeti i A1 Report dhe Shqiptarja.com në Vlorë, Armand Xhelili bën të ditur se, nuk ka asnjë banor tek pallati, duke mos bërë asnjë lloj rezistence. Ende nuk dihet se si, do të bëhet prishja e pallati të “Bashës”, me anë të makinerive apo me shpërthim.
ORA 09:20 PALLATI I “BASHES”, PRISHET BRENDA 5 DITESH, NISIN PRISHJET E RRETHIMIT
Pallati i “Bashës”, do të prishet brenda 5 ditësh. Lajmi është bërë i ditur se, nga burime pranë i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Këta të fundit thanë se, i gjithë procesi do të prishet brenda kësaj jave, duke e rrëzuar pallatin.
Aktualisht ka nisur prishja e rrethimit të kompleksit dhe e pishinës që ndodhej aty. Ndërkaq në vendin e ngjarjes ndodhet edhe kreu i INUK, Zyhdi Dajti, i cili po mbikqyr aksionin.
ORA 09:05 INUK SHKON TE PALLATI I BASHËS
Ndërkohë që mëngjesin e sotëm edhe forcat Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kanë shkuar tek kompleksi “Jon”, ose siç njihet ndryshe, pallati i “Bashës”.
Mëngjesin e sotëm, dy ditë pas letrës së Gjikës, forcat Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, kanë shkuar tek kompleksi “Jon”, ose siç njihet ndryshe, pallati i “Bashës”. Këta të fundit, e kanë rrethuar dhe janë duke u bërë gati për shembjen e tij.
INUK u ka kërkuar banorëve që të bëhen gati e të lënë apartamentet e blera në pallat. Ata u kanë kërkuar që të heqin mobiljet dhe pajisjet që kanë. Njoftohet se një skrep sapo ka hyrë në ambientet e kompleksit “Jon”.
(Foto: Vendimi për shpronësimin e kompleksit Jon)
KERKESA E BASHKISE VLORE DREJTUAR INUK
Bashkia e Vlorës me anë të një letre, ka kërkuar ndihmën e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, për prishjen e ndërtimeve pa leje nga Uji i Ftohtë të Tuneli.
Në këtë zonë dhe për shkresën që kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i ka dërguar INUK, bëhet fjalë vetëm për pallatin e “Bashës”, siç thuhet edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013 për pronën me numër 16/8.
Kërkesa e Bashkisë së Vlorës drejtuar INUK, është bërë me anë të një letre, që mban datën 2 dhjetor 2013. Bashkia e qytetit bregdetar ka kërkuar, që në "zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, të datës 27 nëntor 2013, për shpronësimin për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte për rehabilitimin mjedisor të vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë-Tunel", thuhet në letër.
Pikërisht për këtë arsye, bashkia e Vlorës, “në zbatim të pikave 2 dhe 7 të VKM-së nr. 1015, datë 27.11.2013 "Për shpronësimin, në interes publik, të pasurive të paluajtshm pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë- Tuneli, Bashkia VIorë", kërkon ushtrimin e përgjegjësive të INUK.
Bashkia ka kërkuar ushtrimin e përgjegjësive të INUK, si institucion nën varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, që me infrastrukturën e tij të ndërhyjë për prishjen e pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, sipas listës bashkëngjitur të Vendimit të Këshillit të Ministrave të datës 27 nëntor 2013, për ndërtimet që ndodhen nga rehabilitimi mjedisor nga Uji i Ftohtë tek Tuneli.
(Në Foto: Letra e Shpëtim Gjikës për INUK )
VENDIM I QEVERISE SE DATES 27 NENTOR 2013
VENDIM
Nr. 1015, datë 27.11.2013
PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, OBJEKTE, QË PREKEN NGA REHABILITIMI MJEDISOR I VIJËS SË MBROJTUR BREGDETARE, UJË I FTOHTË - TUNELI, BASHKIA E VLORËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, pika 1, 8, shkronjat “ç” e “ë”, 20 e 21 të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të vendimit nr. 1, datë 8.10.2013 të Këshillit Kombëtar të Territorit “Për masat emergjente të ndërhyrjes mbrojtëse dhe rehabilituese mjedisore në disa zona me rëndësi kombëtare dhe procedurën e hartimit të planit të integruar sektorial për brezin bregdetar” dhe të vendimit nr. 1, datë 23.6.2004 të Këshillit të Rregullimit të Territorit në Republikën e Shqipërisë (KRRTRSH) “Për miratimin e planit të qendrës së Vlorës”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit dhe të ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Shpronësimin, për interes publik, të pasurive të paluajtshme, pronë private, objekte, që preken nga rehabilitimi mjedisor i vijës së mbrojtur bregdetare, Ujë i Ftohtë - tuneli, bashkia e Vlorës.
2. Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë së Vlorës brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
3. Pronarët e ligjshëm të pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për sipërfaqen e përgjithshme 8396 (tetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e gjashtë) m2 ndërtim, të vlerësuar në shumën e përgjithshme prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 462 919 230 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekësh, të përballohet, përkatësisht, 362 919 230 (treqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë) lekë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 100 000 000 (njëqind milionë) lekë nga fondi i kontingjencës.
5. Pronarët e ligjshëm të pasurive të shpronësuara të kompensohen, për efekt të këtij shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin ligjor të pronësisë.
6. Afati i përfundimit të shpronësimit është data 28.12.2013.
7. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Financave dhe bashkia e Vlorës për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Edi Rama
(Në foto: Zona për të cilën ka kërkuar Gjika prishjen e ndërtimit)