VLORE - Arrest me burg ka vendosur gjykata e Vlorës për 17-vjeçarin Aldar Arshiaj, i cili plagosi pak ditë më parë bashkëmoshataren e tij me inicialet E.T në ambientet e shkollës së mesme “Hamdi Rrapi” në fshatin Gjorm. 

Prokuroria ka ngritur akuzë ndaj nxënësit për "vrasje me paramendim" e mbetur ne tentative, si edhe për akuzën e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake", në ambiente publike. Gjyqtare e çështjes ishte Elona Mihali dhe avokat Kastriot Brahimmuçaj, i cili kërkoi një vendim më të lehtë dhe të arsyeshëm nga trupi gjykues duke marrë shkas nga mosha dhe rrethanat në të cilat është ndodhur i riu. I arrestuari Aldar Arshiaj ishte i pranishëm në sallë, por nuk ka folur për akuzat e ngritura ndaj tij dhe ngjarjen. 

Dy adoleshtentët ishin nxënës të së njëjtës shkollë, dhe Aldar Arshiaj e ngacmonte prej kohësh shoqen e klasës. 

Ngjarja tronditëse mes dy nxënësve ishte pasojë e refuzimit që vajza i bënte ndjenjave të 17-vjeçarit, e cila e bezdisur prej kësaj situate ia ka rrëfyer familjarëve të saj. Vëllai i adoleshentes i ka kërkuar autorit të distancohej nga e motra dhe i irrituar nga ky zhvillim i fundit 17-vjecari ka shkuar me armë në shkollë për të kërcënuar bashkëmoshataren. Pas një sherri Aldar Arshiaj ka qëlluar drejt shoqes së tij duke e plagosur atë.

Aldar Arshiaj është nipi i drejtoreshës së shkollës ku ndodhi ngjarja, Elsa Arshiaj dhe i biri i mësueses së Matematikës në këtë shkollë, Dilore Arshiaj, të dyja të pushuar nga puna nga Ministria e Arsimit pas ngjarjes.

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)