Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Lushnjë ka pranuar kërkesën për sigurimin e padisë, duke vendosur pezullimin e punimeve për ndërtimin e Muzeut Hebraik, në monumentin pranë ish-Klubit Patriotik “Labëria” në Vlorë.
Lajmi është bërë i ditur nga përfaqësuesit e nismës për mbrojtjen e monumentit, të cilët përmes një reagimi publik bëjnë me dije se vendimi ka fuqi të menjëhershme dhe do të jetë në fuqi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes gjyqësore.
Sipas tyre, kjo nismë nuk është një betejë kundër askujt, por një përpjekje për të mbrojtur trashëgiminë kulturore dhe për të respektuar ligjin. Ata theksojnë se kujtesa e hebrenjve të Vlorës dhe kontributi i familjeve vlonjate që i strehuan e i mbrojtën gjatë Luftës së Dytë Botërore janë pjesë e rëndësishme e historisë, por vlerësimi i kësaj historie nuk duhet të bëhet në dëm të monumenteve të tjera.
Përfaqësuesit e nismës falënderojnë 1.034 qytetarët që kanë firmosur peticionin, si dhe personat që iu drejtuan gjykatës për të kundërshtuar ndërhyrjet pranë monumentit. Ata bëjnë me dije se beteja ligjore do të vijojë, me synimin sipas tyre për të garantuar transparencën, ligjshmërinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të qytetit të Vlorës. Kujtojmë se projekti i Muzeut Hebraik në Vlorë u kundërshtua nga qindra qytetarë, të cilët dolën edhe në protesta.




Komente
Komento