VLORE - Një person ka humbur jetën dhe një tjetër është plagosur rëndë si pasojë e përplasjes së një mjeti të tonazhit të rëndë me një banesë në qytetin e Vlorës. Ngjarja e rëndë u shënua në një pikë servisi për automjete në afërsi të vendit të quajtur “Rrapi” në lagjen Uji i Ftohtë.

Sipas policisë së Vlorës tha se ka ndërruar jetë Kastriot Ahmeti 50 vjeç me profesion mekanik, ndërsa Arjan Meti 47 vjeç banues në lagjen “10 Korriku” ndodhet në reanimacion në spitalin e Vlorës. Ata po punonin për riparimin e një mjeti të rëndë presë që përdorej për punime ndërtimi.

Aksidentalisht, mjeti ka lëvizur dhe është përplasur me një shtëpi, e cila ndodhej aty pranë duke shkaktuar lëndimin të këtyre dy personave, ku njëri prej tyre ka ndërruar jetë në spitalin rajonal të Vlorës për shkak të plagëve të marra në trup. Si pasojë e aksidentit u shënuan edhe dëme materiale të banesës. Policia vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)