VLORE - Një tentativë grabitjeje në një banesë dy katëshe në fshatin Llakatund të Vlorës ka lënë të plagosur dy vëllezër të cilët pasi i pikasën autorët  u përleshën me ta.
 
Ngjarja u shënua në fshatin Llakatund të Vlorës në familjen Toraj gjatë orëve të mbrëmjes. Sipas policisë së qytetit bregdetar, katër persona të armatosur dhe të maskuar hynë në banesë për të grabitur, por plani i tyre nuk u realizua pasi dy vëllezërit Dane dhe Resmi Toraj kanë ndjerë autorët. Gjatë përleshjes mes tyre, njëri nga grabitësit ka qëlluar me armë tip pistoletë duke lënë të plagosur dy vëllezërit njërin në këmbë dhe tjetrin në bark, të cilët fatmirësisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Pas sulmit, autorët kanë mundur të largohen nga banesa, ndërsa identiteti i tyre ende nuk është mësuar. 
 
Në dëshminë që jep për mikrofonin e A1 REPORT i plagosuri Resmi Toraj, në momentin që janë pikasur, personat e maskuar kanë thënë “Jemi policia”. Sipas dëshmisë së tij, katër grabitësit më parë kishin tmerruar prindërit, të cilët jetojnë në katin e parë të banesës, duke i lidhur ata me litarë.

"Dy veta më erdhën mua, mos lëviz më thanë se do të të qëlloj, jemi policia, mos bëni asnjë lëvizje. U ngritën fëmijët nga gjumi, unë u ngrita pastaj më erdhi njëri me thikë edhe më qëlloi tjetri me pistoletë pastaj. Sa doli vëllai nga dhoma tjetër e qëlluan dhe atë", tha Toraj.

Në momentin e sulmit në banesë ndodheshin dhe 2 femijët e Dane Torajt bashkë me prindërit e dy vëllezërve. Lidhur me ngjarjen janë shoqëruar 11 persona si dhe janë bërë disa kontrolle në banesa.

vlore vjedhja
vlore vjedhja
(Në foto: Banesa ku ndodhi ngjarja në Vlorë)
resmi torraj me logo
(Në foto: Resmi Torraj i plagosur në spital)

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)