Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur një ‘beach bar’ pa lejë në zonën e Shën Janit në Karaburun.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se arrestuan një prej ndërtuesve, shtetasin Skerdi Dinaj dhe shpallën në kërkim ortakun e tij, Olsen Sherifaj, për ndërtimin pa leje.

Ata ishin proceduar penalisht më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor për prishje vullnetare të objektit me sipërfaqe totale 950.18 m2.

Në operacionin e zhvilluar pasditen e sotme morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Skënder Hita dhe Kryeinspektori i IKMT-së, Afrim Qendro, të cilët paralajmëruan të gjithë ata që kryejnë ndërtime pa leje se do të përballen me forcën e ligjit.

“Jemi sot në Karaburun bashkë me strukturat e IKMT-së dhe të Policisë Vlorë, pasi kemi evidentuar një ndërtim të paligjshëm. Ky ndërtim ka 4 muaj që është konstatuar nga strukturat e Policisë Vlorë dhe rasti është referuar në Prokurorinë e Vlorës. Më vonë së bashku me IKMT-në janë ndërmarrë të gjitha procedurat ligjore dhe ndodhemi këtu për prishjen e këtij ndërtimi të paligjshëm. Edhe në Himarë ne prishëm një ndërtim të paligjshëm dhe përgjegjësia nuk u ndal vetëm te personi që kishte ndërtuar, por u shtri edhe në strukturat e tjera përgjegjëse për parandalimin dhe goditjen e këtij fenomeni. Në këtë rast kemi arrestuar një nga autorët dhe kemi shpallur në kërkim ortakun e tij. Çdo qytetar në rast të ndërtimeve pa leje, para se të mendojnë se të bëjnë një krim të tillë, më mirë t’i drejtohen organeve kompetente për të marrë leje ndërtimi dhe të zhvillojnë aktivitetin normal”, tha mes të tjerash Hita.

Pak ditë më parë, një ndërtim pa leje në Himarë çoi në shkrirjen e IMT-së së bashkisë dhe pezullimin e gjithë zinxhirit drejtues të Policisë Himarë, që ishin në detyrë gjatë ndërtimit të godinës.

Njoftimi i Policisë:

Ndërtuan pa leje në Shën Jan, Karaburun, vihet në pranga njëri prej ndërtuesve dhe shpallet në kërkim ortaku i tij

Pasditen e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, së bashku me Kryeinspektorin e IKMT-së, Afrim Qendro, morën pjesë në operacionin për prishjen e një ndërtimi pa leje, “beach bar”, në zonën e Karaburunit.

Objekti prej druri po ndërtohej nga shtetasit O. Sh. dhe S. D., të cilët ishin proceduar penalisht më parë dhe kishin tejkaluar afatin kohor për prishje vullnetare.

Gjatë operacionit u vu në pranga njëri prej ndërtuesve, shtetasi S. D., ndërsa ortaku i tij, shtetasi O. Sh., u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.

Drejtori i Përgjithshëm Hita dhe Kryeinspektori Qendro, gjatë një prononcimi, përcollën mesazhin për të gjithë qytetarët që të mos ndërmarrin iniciativa për të kryer ndërtime pa leje, pasi do të përballen me forcën e ligjit.

Ndërkohë, nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë përgjegjës, që kanë lejuar apo kanë dhënë leje në kundërshtim me ligjin.