KERCENIMI
Lajmi i parë i mbërritur në redaksinë e faqes online tregonte se kërcënimet në drejtim të familjes së kryegjyqtarit të Vlorës, Malaj ishin dërguar nëpërmjet mesazheve telefonike në drejtim të numrit të telefonit celular të gjyqtarit Malaj. Ndërsa familja kishte marrë kërcënime edhe nga telefoni fiks. Nga të dhënat e para u mësua se kërcënimet kishin lidhje me një proces gjyqësor të cilin Malaj po e gjykon. Procesi duket se kishte të bënte me ndërtimin e një kompleksi në qytetin bregdetar, dhe nëpërmjet mesazheve kërcënuese atij i ishte kërkuar të mbajë njëanshmëri ndaj njërës palë në proces.
POLICIA MERR NE MBOJTJE FAMILJEN E GJYQTARIT
Burime nga policia bënë të ditur se policia kishte marrë në mbrojtje familjen e gjyqtarit, një person po mbahet në gjendje arrestin ndërsa dhjetra persona nga qyetete të ndryshme ishin shoqëruar si persona që mund të kishin dijeni për ngjarjen. Kërcënimet ndaj gjytarit ishin bërë javën e kaluar.
POLICIA: ARRESTUAM MUSTAFARAJ PER KANOSJE TE GJYQTARIT
Pak kohë nga dalja e lajmit në media, (lajmi doli rreth orës 09:47 min. ne Shqiptarja.com dhe tv A1 Report) Policia e Vlorës, rreth orës 10:53 nëpërmjet një deklarate për shtyp pranon kërcënimet me jetë ndaj kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj. Sipas policisë kryegjyqtari është kërcënuar me sms në telefonin e tij celuar, dhe është dokumentuar se personi që i ka dërguar mesazhin është Mentor Mustafaraj. Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Kanosja e Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.
NJOFTIMI I POLICISË
Vlorë më datë 10.06.2012 shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë kanë marrë dijeni se Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është kërcënuar me anë të një SMS-je në telefonin e tij.
Menjëherë Shërbimet e Antiterrorit në Drejtorinë e Policisë Vlorë ka nisur menjëherë procedimin penal, ka bërë dokumentimin e plotë ligjor dhe ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë Shërbimet e Antiterrorit dhe të gjitha shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë duke përdorur të gjitha metodat e hetimit dhe falë një pune të mirëorganizuar është bërë e mundur që brenda një kohë shumë të shkurtër të kapet dhe të arrestohet personi që kishte dërguar mesazhin kërcënues, shtetasi: Mentor Ugur Mustafaraj, vjec 58, banues në Vlorë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë për veprën penale “Kanosja e Gjyqtarit” parashikuar nga neni 317 i Kodit Penal.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se shërbimet e Drejtorisë së Policisë Qarku Vlorë janë të vendosur të luftojnë kriminalitetin pa kompromis dhe të arrestojnë cdo person që do të kërcënojë apo do të ndërmarrë veprime të paligjshme kundrejt zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike.
NE SHTATOR 2011 U VRA GJYQTARI KONOMI
Policia është vënë në alarm dhe po ndjek cështjen me seriozitet duke pasur parasysh se vetëm në shtator të vitit të kjaluar një gjyqtar i kësaj gjykate u ekzekutua me tritol mu në mes të qytetit. Gjyqtari Skerdilajd Konomi u ekzekutua më 9 shtator 2011, dhe deri tani ende nuk ka ndonjë të arrestuar në lidhje me këtë vrasje.
(sg/eq/shqiptarja.com)