Një 39-vjeçar ka përfunduar në pranga mbrëmjen e së dielës në Vlorë, pasi kundërshtoi me dhunë punonjësit e policisë gjatë ushtrimit të detyrës.

Ngjarja ka ndodhur më datë 1 qershor 2025, rreth orës 21:00, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, ku shtetasi N. A., banues në fshatin Kaninë, kishte ndaluar dhe parkuar automjetin e tij në kundërshtim me rregullat e qarkullimit rrugor, duke penguar lëvizjen e lirë të mjeteve dhe kalimtarëve.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, 'pas komunikimit të masës administrative për shkeljen, shtetasi N. A. ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e patrullës së përgjithshme, gjatë ushtrimit të detyrës.'

Menjëherë pas incidentit, efektivët kanë bërë arrestimin në flagrancë të 39-vjeçarit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Ai akuzohet për veprën penale 'Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik.'