VLORË- Lundrimi me shpejtësi në det dyshohet se është bërë shkak për një aksident të rëndë në ujërat e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka rënë mbi helikën e skafit dhe ka mbetur i plagosur rëndë. Skafi që shihni në foto drejtohej nga një 32-vjeçar, ndaj të cilit ka nisur procedimi në gjendje të lirë.

Ngjarja ndodhi pasditen e së enjtes, ndërsa mjeti lundrues po kthehej nga Gadishulli i Karaburunit drejt molit të Vlorës. 17-vjecari ndodhej në pjesën e pasme të skafit dhe është hedhur në ajër nga lëkundjet, duke rënë mbi helikën e skafit. Pas ndihmës së parë në Spitalin Vlorës, u transportua në Spitalin e Traumës. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e 17-vjeçarit mbetet shumë e rëndë me plagë në trup dhe gjymtyrë. Ai po trajtohet në reanimacion dhe për momentin është e pamundur të parashikohet ecuria e tij shëndetësore.

Burime policore bëjnë me dije se në momentin e aksidentit në skaf ndodheshin vetëm drejtuesi dhe 17-vjeçari, të cilët ishin shokë. I mituri ishte ulur në pjesën e pasme të mjetit lundrues dhe është rrëzuar për shkak të shpejtësisë dhe dallgëve. Dyshohet se është ngritur nga vendi ku ishte ulur dhe ka humbur ekuilibrin duke rënë në det, ku fatkeqësisht e ka kapur helika e skafit.

Policia Kufitare ka konfirmuar se skafi ishte i pajisur me dokumentacion të rregullt, megjithatë skafisti po hetohet nëse ka zbatuar rregullat e sigurisë gjatë lundrimit.

Ngjarja është një sinjal alarmi për sigurinë, në një periudhë kur lëvizjet e mjeteve lundruese në det kanë arritur kulmin. Edhe pse kontrollet janë shtuar gjatë sezonit, aksidentet tregojnë se dokumentacioni i rregullt nuk mjafton për të garantuar sigurinë e pushuesve.

Xh.K/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 24/07/2026 12:48

    Vetem ndalimi i gjithe mjeteve lundruese motorike sic ishte ne kohen e Sales ben derman per te shpetuar jete or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 24 Korrik, 13:38

    Epoka e re e kërkesave, mendoni se reagimi i Ramës për protestat është i duhuri?