VLORË- Dy persona kanë dhunuar gjatë ditës së sotme avokatin Kujtim Cakrani. Ka qenë vetë avokati që ka bërë të ditur lajmin, teksa thotë se i njeh dy agresorët të cilët e kanë dhunuar për shkak të një prej çështjeve që ai mbron, rast i publikuar në 'Pa Gjurmë', ku i riu dyshohet se është rrëmbyer nga dy kushërinjtë e tij. Cakrani thotë se kjo gjë është e vazhdueshme sa herë që bën përparime në mbrojtje të klientit të tij, por që sot kulmoi me dhunë fizike ndaj tij.

"Unë sot në mëngjes kam ardhur në zyrë, dhe kam shkuar në një lokal përpara zyrës, dy persona me makinë të zezë, që i kam marrë dhe targën më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Më kanë kërkuar që të heq dorë nga një çështje që lidhet me rrëmbimin e një personi, dhe unë mbroj palën e familjes së viktimës.

i kam identifikuar personat, se kanë qenë më parë ntek unë, unë zyrën e kam survejuar me kamera dhe i kam të fotografuar të paktën njërin prej tyre që ka qenë më aktiv. Më kanë goditur në fytyrë, kam lajmëruar policinë, nuk heq dorë nga kërcënimet se unë jam avokat dhe kësaj çështje do t'i shkoj deri në fund. Jam kërcënuar dhe herë të tjera nga këta persona, në mënyrë të vazhdueshme, sa herë që hedh një hap në mbrojtje të klientit tim, në këto kushte jam i detyruar që të kërkoj mbrojtje nga policia e shtetit. Nuk i kam denoncuar herë tjetër se nuk kishin arritur deri në dhunë fizike. Jam në të drejtën time që të kryej detyrën në mbrojtje të lrientëve të mi dhe nuk intimidohem aspak nga këta persona se jam në të drejtën time. Kjo punë duhet të marrë fund", tha Cakrani.

Po si qëndron historia? Bëhet fjalë për rastin e Fatjon Myrtaj, i cili më 16 shtator të vitit 2019 u nis drejt Vlorës, ku më pas humbi gjurmët.  Dyshohet se ai është rrëmbyer, pasi një kushëri i largët me emrin Ledjon Myrtaj, i ka kërkuar të nisen drejt qytetit bregdetar me porosi të Perlat Myrtaj. Me këtë të fundit Fatjoni binte gjithashtu kushëri, ndërsa pak kohë më parë nusja e nipit të Perlatit, i kishte dhënë Fatjonit 5 milion lekë borxh, pa dijeninë e familjes. Ky borxh u kthye në mollën e sherrit, ndërmjet 2 familjeve, asaj të Fatjonit edhe të Perlatit, e ndërsa dyshohet se Fatjoni të jetë rrëmbyer se nuk ktheu lekët.