VLORE- Tre persona janë ndaluar ditën e sotme në Vlorë, pasi kanë marrë peng një shtetas. Veron Dautllari 22 vjeç, Emiljano Dautllari 21 vjeç, dhe Soleno robi, 19 vjeç, të tre banues në Vlorë, kanë marrë peng me forcë shtetasin me iniciale F.D., të cilin e kanë futur në automjetin tip "Mercedes-Benz" me targa AA358 AY në pronësi të shtetasit Veron Dautllari dhe e kanë keqtrajtuar, për motive ende të paqarta. Pasi e kanë keqtrajtuar e kanë braktisur atë në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”.

Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë, ndërsa ditën e sotme blutë e Vlorës kanë mundur të ndalojnë 3 të akuzuarit për pengmarrjen e të riut.

Ndalimi i tyre është kryer menjëherë pas kallzimit të marrë në polici nga të afërmit e personit të dëmtuar.
 
Ende nuk dihen motivet e kësaj pengmarrje, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
 
Tre të rinjtë akuzohen për “heqje të paligjshme të lirisë”, e kryer në bashkëpunim, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për hetime të metejshme.

Gjithashtu gjatë veprimeve hetimore për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarjeje në banesën e personit të marrë peng me inicialet F.D., janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 86 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm.

Për këtë shtetas ka filluar procedimi penal për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” parashikuar nga neni 278 të Kodit Penal.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)