Vendi ynë është përfshirë këtë të premte nga reshjet e shiut. Nga Himara raportohet se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, rruga kryesore e fshatit Sënvasil është bllokuar nga rrëshqitjet e dherave.

Banorët bëjnë thirrje për ndërhyrje të shpejtë të mjeteve të rënda për pastrimin e rrugës, pasi lëvizja është vështirësuar ndjeshëm dhe rreziku mbetet i pranishëm nëse moti i keq vijon.

Ndërkohë si pasojë e erërave të forta, disa pemë janë rrëzuar gjatë orëve të para të mëngjesit në zonën e Pylli i Sodës, duke shkaktuar rrezik për qarkullimin e automjeteve.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit, një automjet është përplasur me një nga pemët e rrëzuara në rrugë, çka ka sjellë bllokimin e përkohshëm të qarkullimit për disa minuta. Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:50
Moti i keq, nisin shkarkimet në tre hidrocentralet e kaskadës së Drinit

Reshjet e shiut kanë bërë që të nisin shkarkimet intensive në tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin.

Në Fierzë shkarkimet janë 1000 m3/ sekondë, Koman 800 m3/ sekondë dhe në Vaun e Dejës 800 m3/ sekondë.