Rruga nacionale Librazhd-Prrënjas ka pësuar çarje masive dhe cedim të asfaltit pranë zonës së njohur si “Arrat e Gurrës”. Rrëshqitja ka ardhur si pasojë e gërryerjes në anën e lumit Shkumbin. Kompania e kontraktuar nga ARRSH-ja po punon për zgjerimin e rrugës në anën e malit, ndërsa lëvizja aktualisht kryhet vetëm në një korsi, përmes semaforëve provizorë.

Drejtuesit e mjeteve që kanë qëndruar gjatë në trafik, flasin për rrezikun që paraqet ky segment, që lidh juglindjen e vendit me Elbasanin e Tiranën.

“Duhet të ketë më shumë kujdes nga personat që janë përgjegjës për këtë pjesë të rrugë, është e rrezikshme sidomos natën. Katastrofë e madhe, çfarë të bëjmë. Duhet të kemi kujdes, por mirëmbajtja e rrugës duhet të ketë më shumë prioritet”, thonë ata.

GJIROKASTËR-TEPELENË

Problematike paraqitet situata në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë ku si pasojë e shirave të dendur nga skarpatet e malit kanë rënë inerte e gurë në rrugë. Kompania kontraktore po punon për pastrimin e tyre, ndërsa qarkullimi i automjeteve nuk është ndërprerë.

VLLAHINË–POÇEM

Dy vite nga ndërtimi, rruga Vllahinë-Poçem ka pësuar dëmtime të shumta. Në disa segmente janë krijuar çarje të thella në asfalt që vështirësojnë qarkullimin e automjeteve.

QEPARO-KUÇ

Një tjetër rrugë e re, e ndërtuar 3 vite më parë, është Qeparo-Kuç, që lidh Vlorën me Himarën. Siç shihet në pamje, asfalti është çarë dhe rruga ka cedime në një gjatësi prej 500 metrash. Aktualisht kalohet me vështirësi dhe në terren nuk shihen mjete apo punëtorë për rregullimin e saj.

MALIQ-GRAMSH

Ndërsa vijon shembja në aksin nacional Maliq-Gramsh, ku janë shfaqur çarje në trupin e rrugës kanë rënë barrierat metalike. Qarkullimi vijon me një korsi, ndërsa kompania po punon për sistemin e saj, pasi rruga është ende brenda garancisë 1-vjeçare.

Në fshatin Gjinikas të bashkisë Maliq, prurjet e shumta të Devollit kanë shkatërruar urën. Shembja është masive dhe gjysma e urës tashmë ka rënë. Bashkia  ka gjetur një zgjidhje provizore, duke vendosur segment metalik. Kjo nuk shihet si zgjidhje nga banorët, të cilët rrezikojnë jetën çdo ditë.

Shembje dhe çarje të trupit të rrugës raportohen dhe në aksin rural Grekan-Shelg, në bashkinë Belsh, ku kalimi kryhet me vështirësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:03
Shembja dhe çarja e rrugës në aksin Librazhd-Pogradec, qarkullimi i makinave vijon vetëm në një korsi, drejtuesit: Është një katastrofë

Shembja dhe çarja e rrugës në aksin Librazhd-Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, ka bërë që edhe sot qarkullimi i makinave të bëhet vetëm në një kah të rrugës.

Qytetarët të cilët e frekuentojnë këtë rrugë thonë për mediat se kjo është një katastrofë dhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm veçanërisht kur udhëtojnë natën dhe gjatë motit të keq.

“Është një katastrofë e madhe, kemi ngelur këtu për orë të tëra”, tha një qytetar.

"E përdor shpesh këtë rrugë, dhe shpresojmë të rregullohet sa më parë. Rruga është e rrezikshme sidomos gjatë natës dhe gjatë kohës kur ka shi”, tha një tjetër.

“Ka ndodhur edhe më parë kjo dukuri. Drejtuesit e automjeteve duhet të kenë më shumë kujdes. Mirëmbajtja e rrugës duhet të ketë më shumë prioritet”, nënvizoi një tjetër.

Një ditë më parë Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se lëvizja në një korsi do të vijojë deri në realizimin e një korsie tjetër provizore në të majtë të trupit të rrugës, për të siguruar qarkullimin e mjeteve me dy sense.

Ora 09:48
Reshjet e dendura të shiut në Durrës, rrugët rreth stadiumit nën 'pushtetin' e ujit

Reshjet e shiut që përfshinë qytetin e Durrësit gjatë orëve të natës dhe deri në orët e para të mëngjesit kanë bërë që disa rrugë veçanërisht në ato rreth zonës së stadiumit të futbollit ‘Niko Dovana’, të kenë prezencë uji.

Ndërkohë nuk raportohet për përmbytje banesash apo biznesesh.

Ora 08:50
Shkodër, vijojnë shkarkimet nga 3 HEC-et e Kaskadës së Drinit! Rruga e Obotit ende e bllokuar

Prefektura e Shkodrës ka dhënë detaje lidhur me situatën nga reshjet e shiut në këtë qark. Në bashkinë e Shkodrës në fshatin Obot janë angazhuar 6 forca dhe 1 mjet ushtarak, ndërsa niveli i ujit ka arritur në 30 cm.

Ndërkohë si pasojë e reshjeve të shiut vijojnë shkarkimet intensive në tre hidrocentralet e kaskadës së lumit Drin

Në aksin Bogë-Theth ka reshje bore, ndërsa trashësia ka arritur mbi 50 cm, duke rritur rrezikun për rënie ortekësh.

Në bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme.

Njoftimi i plotë

Prefektura e Qarkut Shkodër, në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike dhe të emergjencave civile, si dhe në koordinim me institucionet përgjegjëse, paraqet informacionin e përditësuar mbi situatën në nivel qarku.

Në territorin e Bashkisë Shkodër vijon operacioni në fshatin Obot, ku në terren janë angazhuar 6 forca dhe 1 mjet nga Reparti Ushtarak 1010, Vau i Dejës. Niveli i ujit në aksin rrugor është rreth 30 cm, ndërsa reshjet e shiut vijojnë herë pas here me intensitet të lartë. Deri në këto momente nuk raportohen banesa të rrethuara nga uji.

Sipas të dhënave të administruara nga DRUK Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike. Niveli i liqenit është 7.85 m (kuota kritike 9.50 m), ndërsa niveli i lumit Drin është 7.60 m (kuota kritike 10.00 m). Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 25 mm reshje shiu. Infrastruktura e kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet paraqitet funksionale dhe pa probleme, ndërkohë që reshjet e shiut vijojnë.

Sa i përket situatës së akseve rrugore, në aksin Koplik–Bogë dhe Dedaj–Razem vijojnë reshjet e shiut, ndërsa në aksin Bogë-Theth ka reshje bore. Trashësia e borës ka arritur mbi 50 cm, duke rritur rrezikun për rënie ortekësh. Strukturat përgjegjëse mbeten në gatishmëri dhe monitorim të vazhdueshëm të situatës.

Në Bashkinë Malësi e Madhe gjatë gjithë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, pa raportim problemesh nga strukturat e Emergjencave Civile. Edhe në Bashkinë Vau i Dejës reshjet e shiut kanë qenë me intensitet mesatar, pa probleme të raportuara. Ndërkohë, në Bashkinë Pukë dhe Bashkinë Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër dhe strukturat vendore vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe do të raportojnë për çdo zhvillim të situatës së emergjencave civile.