Vlorë-Një 44 vjeçar i cili ishte në kërkim prej 12 orësh është vendosur në pranga nga policia e Vlorës.
Avni Ferraj në gjendje të dehur ka qëlluar me armë zjarri në fshatin Brataj të Selenicës mbrëmjen e djeshme (30 nëntor) pas një konflikti të çastit. Për t'iu shpëtuar bluve 44 vjeçari u largua në kodrat e fshatit Brataj
"Shërbimet e Stacionit të Policisë Selenicë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe Forcën Operacionale në DVP Vlorë, pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, kanë zhvilluar kërkime të pandërprera gjatë gjithë natës, në kushtet e një terreni të vështirë malor dhe të pyllëzuar.
Si rezultat, sot në mesditë, në kodrat e fshatit Brataj, u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit A. F., 44 vjeç, banues në fshatin Brataj. 44-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në gjendje të dehur dhe pas një konflikti të çastit, si dhe me pretendimin se disa të mitur po e bezdisnin, ka shkuar në banesë, ka marrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në ajër, duke krijuar panik te banorët dhe te të miturit", informoi sot policia.
Në momentin e arrestimit, Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit kallashnikov, me fishek në fole gati për qitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.