Vlorë, 28 shtator/ATSH-Harilla Koçi/.- Në Pallatin e Sportit të qytetit te Vlorës është çelur Panairi "Expo Vlora Ndërtim 2014", ku përfaqësohen subjekte që operojnë në fushën e ndërtimit dhe të prodhimit industrial nga disa vende të rajonit. Ky aktivitet, që është i dhjeti që është organizuar në Vlorë, si dhe i dyti në profilin e ndërtimit, është konsideruar nga opinioni qytetar si një ngjarje domethënëse, jo vetëm për komunitetin e biznesit, por edhe për vetë qytetin.
Organizatorët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Bashkia, si edhe kompania promovuese "Idea 2 Group", synuan dhe ofruan një panair me një dimension që i kapërcen kufijtë lokalë dhe kombëtarë. Kjo përforcohet nga fakti se, në Panairin "Expo Vlora Ndërtim 2014", përfaqësohen 32 subjekte nga vende të ndryshme, 7 nga Italia, 3 nga Greqia, 1 nga Turqia, 4 nga Kosova, si dhe nga Vlora, Tirana e rrethe të tjera të vendit.
Sipas kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Qarkut të Vlorës, Arben Breshani, ky është një element shumë pozitiv, ashtu siç është i tillë edhe fakti tjetër, që lidhet me idenë për të zhvilluar një panair të profilizuar dhe konkretisht në fushën e ndërtimit dhe industrisë. Ai saktëson se, Vlora ka kapacitetet e duhura për të ofruar në perspektivë një profil jo vetëm turistik dhe Panairi "Expo Vlora Ndërtim 2014", është një dëshmi e qartë e kësaj mundësie.
Në fjalën e saj në çelje të këtij panairi, Prefektja e Qarkut, Etjona Hoxha, inkurajoi komunitetin e biznesit në Vlorë dhe organizatorët për këto përpjekje, ndërkohë që garantoi mbështetjen e Institucionit të Prefekturës por edhe të Qeverisë, në çdo nismë që do të ndërmerret në këtë drejtim.
"Duke vlerësuar gjithçka është bërë deri tani, unë uroj që rruga e përpjekjeve të vijojë më tej në të ardhmen, që ky Panair i shndërruar tashmë në një traditë, të fitojë dimensione të tjera edhe më të gjera dhe që, pse jo, që Vlora të shndërrohet në një qendër rajonale në këtë drejtim", theksoi Hoxha. Ajo falenderoi gjithashtu pjesëmarrësit nga Italia, Turqia, Greqia, Kosova e rrethe të tjera të vendit, duke u shprehur mirënjohjen për praninë e tyre në këtë aktivitet të biznesit. /a.ke/