/ATSH-Harilla Koçi/.- Në fshatin Drashovicë, 15 km në lindje të Vlorës, u përkujtua sot 72-vjetori i asaj që në histori njihet me emrin lufta e Drashovicës.
72 vjet më parë, në zonën e Drashovicës u zhvillua beteja e parë në shkallë qarku dhe ndër të parat dhe më të ashpra në shkallë vendi kundër pushtuesit të ri nazist gjerman.
Për nga objektivat, përfshirjen e gjerë të forcave partizane e atyre vullnetare territoriale, për kohëzgjatjen prej 19 ditësh (15 Shtator-4 Tetor 1943), kjo ngjarje zë një vend të rëndësishëm në historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Më 9 shtator 1943 forcat naziste gjermane, duke sulmuar nga Kakavija për në Gjirokastër e Tepelenë, falë epërsisë së teknikës së motorrizuar, mundën të dalin në Drashovicë e më pas në Vlorë. Lufta e Drashovicës përbën njëkohësisht edhe betejën e parë frontale të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe forcave vullnetare territoriale, kundër pushtuesve gjermanë. Në këtë betejë, morën pjesë forcat partizane e vullnetare territoriale të Qarkut të Vlorës, mes të cilave batalionet partizane "Ismail Qemali" e "Halim Xhelo", çetat partizane "Halim Rakipi" e "Hodo Zeqiri", si dhe forcat vullnetare territoriale të zonës e më gjerë.
Pas një beteje që zgjati për 19 ditë me rradhë, forcat partizane në funksion të veprimeve taktike e strategjike për t'i shpëtuar rrethimit përballë epërsisë numerike e teknike të armikut, u tërhoqën në pozicione të reja. Në këtë luftë ranë 20 dëshmorë dhe mbetën 50 të plagosur.
Me këtë rast, tek sheshi i monumentit që përkujton këtë ngjarje, vepër e skulptorit Muntaz Dhrami, u zhvillua një ceremoni festive, ku merrnin pjesë banorë të zonës, veteranë, pjesëtarë të familjeve të dëshmorëve, drejtues të pushtetit vendor, deputeti i Qarkut, Koço Kokëdhima, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, Prefektja e Qarkut të Vlorës, Etjona Hoxha, deputetët Mira Shehu e Fatmir Toçi, kryetari i Këshillit të Qarkut, Sadrit Danaj etj.
Nën tingujt e këngëve partizane, u vendosën kurora e tufa me lule në monumentin që evokon këtë ngjarje.
Për dimensionet dhe rëndësinë e Luftës së Drashovicës, folën prefektja Etjona Hoxha, kryetari i këshillit bashkiak të Selenicës, Dritan Pashaj, kryetari i Komitetit të Veteranëve të Vlorës, Seit Jonuzaj.
Në fjalën e saj, Prefektja Hoxha theksoi mes të tjerash se lufta e lavdishme Nacionalçlirimtare, është një nga ato epoka që janë të pashtershme për thesarin e vlerave që mbartin dhe gjenerojnë dhe lufta e Drashovicës, si pjesë e kësaj epoke, është një nga ato momente që na tërheqin pas për të na orientuar drejt të ardhmes. "Ajo përcjell mesazhe, nga ato mesazhe që rrallë i gjejmë tek ngjarje të tjera të ngjashme. Sot, ne jemi këtu për t'i përsëritur ato. Për t'ja kujtuar njeri- tjetrit. Për të pohuar pa mëdyshje se e ardhmja e përbashkët na do të bashkuar", theksoi Prefektja Etjona Hoxha.
Deputeti i Partisë Socialiste i Qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima u ndal tek rëndësia e Luftës Nacionalçlirimtare dhe vendi që ajo zë në historinë e Shqipërisë, duke theksuar se ajo është një nga epopetë më të lavdishme të popullit shqiptar dhe një nga ngjarjet më kulmore të historisë së Shqipërisë në shekullin XX. "Lufta Nacional Çlirimtare nuk ishte as një luftë civile dhe as një luftë vëllavrasëse. Ajo ishte një luftë e popullit shqiptar për çlirimin nga pushtuesit e huaj dhe bashkëpunëtorët e tyre. Pa Luftën Nacionalçlirimtare nuk do të kishim këtë Shqipëri që kemi sot", theksoi Kokëdhima, ndërkohë që shtoi se, ajo e rradhiti popullin tonë krah të gjithë aleatëve të mëdhenj, krah të gjithë kombeve të përparuara, që luftuan kundër nazifashizmit.
Duke ju drejtuar të pranishmëve, Kokëdhima nënvizoi se Lufta Nacionalçlirimtare i bën nder Shqipërisë, sa asnjë ngjarje tjetër në historinë e shekullit XX. "Prandaj dhe ne që jemi pasardhës të atyre luftëtarëve dhe të këtyre veteranëve, nuk do të reshtim kurrë së nderuari me përunjësi dhe me krenari idealet e saj dhe kontributin e këtyre veteranëve", u shpreh ai.