VLORË - Është përkujtuar ditën e sotme ceremonia e 70-vjetorit të krijimit të Brigadës së V Sulmuese në Bramyshnje të fshatit Tërbaç. Në këtë aktivitet morën pjesë deputët Fatmir Toçi, Valentina Leskaj, si dhe Petrit Vasili.
 
Nuk ka munguar në këtë aktivitet ish-Presidenti Alfred Moisiu, si dhe personalitete të ardhura nga Kosova enkas për këtë festë.
 
Brigada e V Sulmuese ka qënë pika kyçe apo thënë ndryshe një nga gurët e themelit të Luftës Nacional Çlirimtare.
 
Në këtë 70-vjetor të përkujtimit të Brigadës së V Sulmuese, vendoset dhe një gur themeli për këtë 70-vjetor të përkujtimit të 29 nëntorit “Ditës së Çlirimit”.
 
“Përkujtimi i Brigadës së V është preludi i i festimeve në këtë vit të 70 vjetorit të çlirimit. Lufta antifashiste është krenari për çdo shqiptar”, ka thënë gjatë fjalës së tij, deputeti Vasili.
 
“Partizanët dhe populli shqiptar bënë zgjedhjen e duhur në aleancë me Europen. LANÇ ishte integrimi i parë i shqiptarëve me vlerat europiane”, deklaroi deputeti i LSI-së, Petrit Vasili gjatë fjalës që mbajti për nder të 70 vjetorit të Brigadës së V.

Deputetja e PS-së Valentina Leskaj në fjalën e saj ka theksuar se “Briganda e V nuk e ka marrë rastësisht këtë emër, Hero i Popullit, por sepse e ka merituar. Ata që vunë jetën në themelet e lirisë nuk patën vetëm kurajën, por edhe mencurinë që e afruan në aleancën më bashkokohore të asaj kohe”.
 
Ish-Presidenti Moisiu ka bërë vlerësimet më të mëdha për këtë Brigadë, duke rikujtuar edhe njëherë historinë dhe rolin e saj në Luftën Nacional Çlirimtare.
 
Deputeti Fatmir Toçi ka vlerësuar gjithashtu Brigadën e V duke u shprehur “kjo Brigadë jo vetëm ka luftuar e vetme duke çliruar zonën, por i ka ardhur në ndihmë dhe vendeve të tjera”.
 
Ai ka shtuar gjithashtu se “po mbajmë premtimin për të ngjallur monumentet historike të cilat janë lënë në harresë për vite me radhë nga politika”.
 
Lajmi fillimisht u publikua në 14:27.
 
Redaksia online
(e.s/ac/shqiptarja.com)