Burime zyrtare nga policia e Vlorës bëjnë të ditur se 32 vjeçari nga fshati Mbrostar i Fierit, dyshohet se ka kryer dhe një vrasje tjetër të bujshme në këtë qytet, atë të ekzekutimit të Shpëtim Mukës në nëntor 2006.
Shpëtim Muka, i njohur si i forti i Vlorës u ekzekutua me breshëri plumbash më 30 nëntor të 2006-ës në afërsi të shtëpisë së tij, në zonën e quajtur “Pusi i Mezinit”. Gjatë këtij atentati mbeti i vdekur edhe shoku i 41-vjeçarit Muka, Ervin Shehu, 24 vjeç si dhe u plagos nipi i tij, Ervis Zanaj.
Nëse dyshimet e policisë së Vlorës do të vërtetohen, atëherë do të rihapej një hetim i gjerë për një zinxhir të tërë vrasjesh, që kanë zanafillën në Barcelonë të Spanjës, më pas në Vlorë e Tiranë.
ZINXHIRI I VRASJEVE
Zinxhiri i ekzekutimeve nis vite më parë që prej të njohurës si Masakra e Levanit, 28 maj 1997 kur dyshohet se Shpëtim Muka ka qenë një nga autorët, e ekzekutimit të 21 personave . Gazeta Shqip shkruante në një shkrim të 2006 (ketu)se vrasja dyshohet se ishte hakmarrje e Shpëtim Mukës ndaj vrasjes së 3 vëllezërve të tij Kastriot, Sokol dhe Petrit Muka, të cilët po në 1997 u gjetën të vdekur në afërsi të qytetit, madje trupat e tyre ishin të copëtuar, pasi ishin hedhur në erë. Po kështu vëllezërit Muka njiheshin si kundërshtarë të bandës së Zani Caushit. Po në atë kohë vritet edhe i nipi i Mukës, Bledi Zanaj, i cili u qëllua nga banda e Gërdhuqëve, një bandë e njohur në qytetin e Vlorës.
Vite më pas më 27 shtator 2006, në Barcelonë të Spanjës mbeti i vrarë Slejdi Zanaj, nipi i Shpëtim Mukës. Për vrasjen u akuzua Sokol Rama. Slejdi njihej me nofkën Topallja, pasi disa kohë më parë ai kishte pësuar një aksident dhe për pasojë kishte probleme në këmbë. Mediat e asaj kohe shkruanin se vrasja pati si motiv luftën mes bandave shqiptare për rivalitetin e prostitucionit dhe drogës. Policia spanjolle arrestoi Sokol Ramën por më pas u lirua për mungesë provash dhe aktualisht ndodhet në kërkim.
Më 11 nëntor 2006 Armando Zanaj (Vëllai i Slejdi Zanajt) vret Leonora Ramën (Nëna e Sokol Ramës ), oficere e marinës. Leonora u vra në afërsi të godinës së bashkisë së Vlorës. Armando Zanaj, atëherë 16 vjeç u arrestua dhe në polici pat deklaruar se kishte kryer krimin për të marrë hakun e vëllait të vrarë në Spanjë.
Më 29 nëntor 2006 ekzekutohet pranë shtëpisë Shpëtim Muka dhe Edvin Shehu, ndërsa u plagos Edvin Zanaj, vellai i ekzekutorit të Leonora Ramës. Për këtë vrasje Sokol Rama u akuzua si urdhëruesi i tij në shenjë hakmarrje ndaj të ëmës.
Më 1 nëntor 2007 në Tiranë pranë maternitetit "Koço Gliozheni".vritet Edvin Zanaj, djaloshi i cili i shpëtoi atentatit një vit më parë. Burimet nga grupi hetimor në Prokurorinë e Tiranës të cituara nga media e asaj kohe, bënin të ditur se dyshonin se vrasja ishte porositur nga burgu i Spanjës, ku ndodhej i arrestuar Sokol Rama. Ky i fundit ishte arrestuar në mars të 2007 në Madrid. Në media, gazeta Shqip, shkruante se Sokol Rama kishte vënë në dispozicion dhjetë mijë euro dhe personi i paguar kishte kryer shërbimin, duke ekzekutuar me plumb në kokë 23-vjeçarin vlonjat, i cili prej disa muajsh fshihej në Tiranë.
Për këtë zinxhir vrasjesh në pranga është vënë vetëm Armando Zanaj, ndërsa Sokol Rama mendohet se pas arrestimit nga policia spanjolle është lënë i lirë. Aktualisht ai është person në kërkim.
Ndërkaq i arrestuari i djeshëm Bledar Jambelli nuk rezulton të ketë ndonjë lidhje farefisnore me Leonora Ramën. Për këtë arsye policia e Vlorës dyshon se 32-vjeçari Jambelli mund të jetë vrasës me pagesë, por nuk jepen më shumë detaje duke ia lënë në dorë hetimit.
ARRESTIMI I BLEDAR JAMBELLIT PER VRASJEN E AMARILDO DELAJT
Zyrtarisht nga policia e Vlorës, Bledar Jambelli u arrestua dje për vrasjen e biznesmenit Amarildo Delaj, ngjarje kjo e ndodhur 3 muaj më parë, shtator 2012, brenda në lokalin e tij, në dalje të qytetit të Vlorës.
Në këtë ekzekutim u plagosën dhe 2 persona të tjerë, të cilët ishin së bashku me 27-vjeçarin që mbeti i vrarë. Sipas policisë, biznesmeni u qëllua me 18 plumba automatiku.
(jd/Gre.M/sg/ Shqiptarja.com)