Sali Berisha doli pas protestës duke akuzuar se në fakt ishte policia që e ktheu protestën e sotme në një natë terrori. Ai i kërkoi prokurorisë të hetojë aktet e policisë dhe përdorimin e plumbave të gomës në mes të turmës jashtë standarteve të përcaktuara.

"Kryeqyteti i Shqipërisë përjetoi një ditë dhe natë terrori si kurrë ndonjëherë më parë.  Gjatë ditës dhe sonte narkobanditë me uniformë të ‘Shqiponjave’ dhe ‘RENEA-s’ kanë ushtruar një dhunë të paparë ndaj protestuesve paqësorë.  Kanë qëlluar me mjete zjarri në shkelje të plotë të rregullave të përdorimit të armëve që përdorin.

I bëj thirrje prokurorit, të vërë para ligjit këta punonjës që sillen si kafshë ndaj studentëve dhe qytetarëve. Të sekuestrojë menjëherë planin e përhapjes të Forcave të Rendit.  Të identifikojë vrasësit me pagesë 2500 euro që u marrin nishan në syrin apo në ballin apo në gjoksin e protestuesve paqësorë", tha Berisha.

Kreu i PD shprehu mirënjohje për të gjithë atyre protestuesve që vërshuan nga të katër anët e vendit dhe lagjet e Tiranës, me thirrjen e Partisë Demokratike, tha Berisha.

"Unë kam një mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve dhe guximit, trimërisë së tyre.  Dua të falënderoj përzemërsisht ata mijëra qytetarë të Tiranës, që sot u shkrinë në një, me vajzat dhe djemtë e tyre dhe të shqiptarëve. 

Që po luftojnë çdo ditë, për secilin prej nesh, po luftojnë çdo ditë, për dinjitetin e këtij vendi dhe këtij kombi. Mbështetja e qytetarëve ndaj studentëve, është e një rëndësie vendimtare, për suksesin e kësaj revolte shpëtimtare për Shqipërinë. Ndaj dhe falënderoj me shumë mirënjohje ata mijëra e mijëra të rinj, të reja, burra, gra, që vërshuan nga të katër anët e vendit dhe lagjet e Tiranës, me thirrjen e Partisë Demokratike", tha Berisha.