Burime zyrtare të policisë lokale te Vlores,  bëjnë të ditur për ATSH-në, se nga strukturat e Drejtorisë dhe Komisariatit të Policisë në kuadër të operacionit të koduar "Transparenca", u sekuestruan 9 automjete të markave të ndryshme që qarkullonin me xhama të errët në qytet.

Janë kryer kontrolle në mjedise shërbimi si, lokale, pika bastesh sportive dhe bilardo, si dhe janë shoqëruar 19 persona, si pjesë e hetimeve për ngjarje të ndryshme.
Sipas policisë, gjatë këtij operacioni, në kontrollin e ushtruar në automjetin luksoz tip Mercedes-Benz me targa AA 444 KC, u gjet dhe sekuestrua një armë zjarri tip "Berreta" me 15 fishekë, të cilën e mbante pa leje shtetasi H. Hitaj, 30 vjeç, banor i qytetit të Vlorës.

Ndaj tij u vendos masa e arrestit në flagrancë për veprën penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit. Gjithashtu, për të gjitha automjetet u bënë verifikimet e nevojshme, u hoqën xhamat e errët, si dhe u morën masat administrative përkatëse./ATSH/