VLORE- Rando Dalipaj, 23-vjeçari nga Vlora i cili mbrëmjen e djeshme qëlloi me armë zjarri në drejtim të makinës ku ndodhej xhaxhai i tij, është arrestuar në Memaliaj. Pas ngjarjes, 23-vjecari u largua menjëherë, ndonëse arratia e tij zgjati vetëm disa orë, pasi blutë e qytetit bregdetar kanë vendosur në pranga të riun, duke finalizuar me sukses operacionin e koduar “Arrati e shkurtër”.
 
23-vjeçari, Rando Dalipaj, banues në lagjen “Pavarësia” në Vlorë akuzohet për veprat penale "Vrasje me dashje" e mbetur në tentativë dhe "Armëmbajtje pa leje".
 
“Ndalimi i këtij shtetasi u krye pasi dyshohet të jetë autor i ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në vendin e quajtur “Albano dhe Romina”, ku ky shtetas ka shtënë disa herë me armë zjarri tip pistoletë në drejtim të xhaxhait të vet, shtetasit me iniciale A. D., vjeç 43 banues në Vlorë, pas një grindjeje që ka ndodhur midis babait dhe xhaxhait të autorit dhe është larguar menjëherë pas kryerjes së krimit. Falë punës hetimore intensive dhe të pandërprerë të strukturave të Policisë Vlorë në bashkëpunim me Prokurorinë Vlorë, Policinë e Gjirokastrës dhe Tepelenës është bërë e mundur prangosja e këtij shtetasi në një lokal në qytezën e Memaliaj Tepelenë ku ky shtetas po përpiqej të gjente strehim.
 
Si rezultat i të shtenave me armë zjarri mbrëmjen e djeshme janë konstatuar vetëm dëme materiale në automjetin tip Ford Fokus me targa AA 537 EE në pronësi të shtetasit A. B. Po punohet për zbardhjen e plotë të motiveve të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Vlorës.
 
Ndërkaq, materialet proceduriale i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit për ndjekje të mëtejshme penale të çështjes.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)