VLORË - Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore(ish Instituti i Pemtarisë dhe Ullirit), në qytetin e Vlorës, është shndërruar tashmë në një institucion shkencor bashkëkohor.
Pas përfundimit të projektit të ndërtimit të mjediseve të reja të saj, në një distancë prej 15 km në veri të qytetit, kompleksi i Qendrës së Transferimit të Teknologjive, ka marrë tashmë profilin e duhur në funksion të stimulimit të standardeve bashkëkohore në fushën e bujqësisë.
Drejtoresha e këtij institucioni, Aulona Veizi, thotë se, ATSH-në se, "tashmë QTTB ka hyrë në një periudhë të re, në procesin e shndërrimit të saj në një institucion të ngjashëm me ata të vendeve më të përparuara perëndimore, në shërbim të ullishtarisë, pemtarisë e vreshtarisë në shkallë qarku e më gjerë".
Në këtë qendër janë funksionale mjediset e laboratorëve dhe baza eksperimentale, godina e administratës dhe infastruktura e nevojshme për të realizuar kërkime shkencore në standarde bashkëkohore, në fushën e aplikimit të metodave të reja në kultivimin e ullirit, në vreshtari, pemtari, prodhimin e fidanëve etj. Veç kësaj, është realizuar ndërtimi i serave, me kapacitet vjetor për prodhimin e 300 mijë deri në 500 mijë fidanë ulliri, si edhe funksionojnë parcelat për kultivimin eksperimental të vreshtave e pemëve, ndërkohë që është plotësuar infrastruktura e nevojshme për një aktivitet shkencor të niveleve më të përparuar, ndërtimi i sistemit të vaditjes etj. Përmes tyre synohet që, Qendra e Transferimit të Teknologjive, të shndërrohet në një institucion kërkimor shkencor aplikativ që të ofrojë asistencë teknike dhe shkencore për fermerët e qarkut të Vlorës dhe të gjithë vendit.
Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, një nga 5 qendrat kërkimore shkencore në fushën e bujqësisë që funksionojnë në shkallë vendi, pason ish Institutin e Pemtarisë dhe Ullirit. Tashmë, aktiviteti i këtij institucioni po fokusohet në disa drejtime kryesore që janë prodhimi i fidanëve të ullirit, studimi i kultivarëve të vreshtave, ullirit, pemëve frutore, ruajtja dhe nxitja e kultivimit të varieteteve autoktone në to etj. Ndërkaq, ruajtja e germoplazmës autoktone(prodhimi i varieteteve të vendit), në vreshta, ullinj, pemtari etj, përbën edhe një nga prioritetet e punës së personelit të Qendrës. Për këtë po stimulohen varietete të njohura të traditës, sikundër janë rrushi "Vlosh", "Kallmeti", "Debina", etj, të cilat kultivohen dhe përpunohen deri në produktin e tyre përfundimtar atë të verës, që serviret në aktivitete lokale, kombëtare e më gjerë./ATSH/










