Vlorë, 29 shtator/ATSH-Harilla Koçi/.-Qyteza antike e Olimpes, që ndodhet në afërsi të fshatit Mavrovë, rreth 40 km në lindje të qytetit të Vlorës, përfaqëson një nga qytetërimet antike të zonës së luginës së lumit Shushicë, krahas Amantias, Çerjes, Hadërajt, që banoheshin në antikitet nga amantinët. Në vitin 1963, kalaja e kësaj qyteze, një nga elementët më të mirëmbajtur të saj, ka marrë statusin e trashëgimisë kulturore. Aktualisht, ajo është pothuajse e harruar dhe e papërfshirë në resurset që mund të shfrytëzohen për turizmin kulturor, krahas objekteve të tjera me vlerë.
 Sipas arkeologëve, qyteza antike e Olimpes është populluar nga fiset ilire që në epokën e bronxit. "Argumenti më i fortë në këtë drejtim, është kalaja e Mavrovës", thotë specialisti Gëzim Llojdia. Gjurmët e para të kalasë, të mureve të saj, që janë të mirëruajtura, gjenden në lagjen Çakallovaj. Më tej, ato vazhdojnë përgjatë kopshteve private të banorëve.
 Arkeologu, Burhan Dautaj, bën një përshkrim të gjurmës së murit të kalasë. Muresa është ngritur nga blloqe guri gëlqerorë dhe shtuforë, pjesërisht të punuar me faqe trapezoidale dhe katërkëndëshe e të gufuara në pjesën e dukshme të tyre. Rreshtat në përgjithësi janë në linja të drejta, me ndonjë shkallëzim që u është imponuar ndërtuesve nga pjerrësia e madhe e terrenit. Në krahun perëndimor të traktit izodomik, vihet re një rindërtim me gurë gëlqerorë relativisht të vegjël, të vendosur në lidhje të thatë. Ky mur, teknikisht i dobët për muret rrethuese, ka ngjashmëri me muret e përdorur për mbështetjen e çative në godinat e shekullit II para Krishtit.
Sipërfaqja brenda mureve rrethuese të kalasë së Mavrovës arrin në rreth 15 ha, gjë që e rendit Olimpen mes qyteteve mesatare të antikitetit. Në vendin e emërtuar "Maja e rrethonit", gjendet masivi shkëmbor, ku sipas arkeologëve, është marrë materiali për të ndërtuar muret e kalasë së qytetit antik.
Për ta bërë sa më atraktive këtë vlerë të jashtëzakonshme të qytetërimit ilir, specialistët sugjerojnë që të dhënat dhe informacioni i grumbulluar për qytezën antike të Olimpes, duhet të konkretizohen me përfshirjen e saj në hapësirën e qytezës tjetër antike, atë të Amantias. Kjo do të shoqërohet me ridimensionimin e vlerave të kësaj qendre të antikitetit, me synim për ta shndërruar atë në një resurs real në funksion të turizmit kulturor./a.r//a.ke/