Vlorë - Dy të rinj, 27 dhe 30-vjeç kanë rënë në prangat e policisë së Vlorës për shitje të lëndëve narkotike.

Ata u kapën në në fshatin Gumenicë teksa ishin duke lëvizur me makinë.

Sipas njoftimit të bluve, 27-vjeçari ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi dyshohet se në mars të këtij viti ka kanosur me armë zjarri kallashnikov, një person.

Gjatë kontrolleve blutë gjetën rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Njoftimi i policisë:      

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve dhe punës hetimore intensive për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të posedimit të lëndëve narkotike, me qëllim shitjen.    

Për këtë rast, u arrestuan në flagrancë shtetasit:    

-H. M., 30 vjeç, banues në fshatin Gjormë dhe R. L., 27 vjeç, banues në fshatin Ramicë.   

Këta shtetas janë ndaluar nga shërbimet e Policisë, ndërkohë që qarkullonin me automjet, në fshatin Gumenicë. Gjatë kontrollit në automjetin që e drejtonte shtetasi H. M., shërbimet e Policisë gjetën rreth 800 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se e posedonin me qëllim shitjen.        

Nga verifikmet rezultoi se shtetasi R. L. ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, pasi dyshohet se më datë 16.03.2026, ka kanosur me armë zjarri kallashnikov, shtetasin A. B.. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë