Vlorë - Pesë persona janë arrestuar nga policia e Vlorës, dy prej të cilëve italianë, pasi shpërndanin drogëra të forta.
Të arrestuarit janë: Niko Kolecaj, 20 vjeç, banues në Lezhë, Rigest Hajdaraj, 20 vjeç, banues në Lezhë, Mateo Macaj, 23 vjeç, banues në Lezhë, Christjan Liuzzi, 42 vjeç, banues në Romë dhe Christian Spano, 37 vjeç, banues në Palermo.
Arrestimi i tyre erdhi pasi policia i konstatoi në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, iu gjetën 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme si “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”.
Nga hetimet paraprake dyshohet se ata i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, lidhur me disa shtetas që transportonin lëndë të ndryshme narkotike me qëllim shitjen e tyre në qytetin e Vlorës, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, me mbështetjen e shërbimeve operacionale të DVP Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "WEST".
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit N. K., 20 vjeç, banues në Lezhë; R. H., 20 vjeç, banues në Lezhë; M. M., 23 vjeç, banues në Lezhë; C. L., 42 vjeç, banues në Romë, Itali, dhe C. S., 37 vjeç, banues në Palermo, Itali.
Këta shtetas u konstatuan në zonën e Zvërnecit dhe, gjatë kontrollit fizik të tyre, të automjetit që përdornin, si dhe të banesës ku qëndronin, në lagjen "Uji i Ftohtë", Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 700 doza lëndësh narkotike të llojeve të ndryshme, gati për shitje, një shumë parash të dyshuara si të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe 8 aparate celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se këta shtetas i shisnin lëndët narkotike në plazhe dhe lokale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente








