Vlorë- Një 34-vjeçar është marrë nën procedim penal nga Policia e Vlorës ditën e sotme (27 Nëntor), pasi akuzohet për trafik të mjeteve motorike.
Lajmin e konfirmoi policia vendore, duke bërë me dije se i dyshuari është A.U., 34 vjeç, banues në Lezhë, që akuzohet për trafikimin e një mjeti “Range Rover”.
“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. U., 34 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se ka trafikuar një automjet tip “Range Rover”, të dyshuar të vjedhur në Itali”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Pas shoqërimit dhe marrjen në pyetje, i riu u la për hetim në gjendje të lirë. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Kurse dosja i kaloi për veprime të mëtejshme Prokurorisë, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit.