Një person në qytetin e Vlorës, është arrestuar ditën e djeshme nga policia në prani të vajzës së tij të mitur. Personi me iniciale L. Sh., në automjet së bashku me vajzën e tij, është ndaluar nga policia pas një shkelje rrugore në zonën e quajtur ‘Rrethi i Çoles’.

Në automjet policia ka gjetur një sasi kanabisi dhe një armë të ftohtë. Siç raprton dhe policia, efektivët e rrugores janë përballur fillimisht me kundërshti me fjalë e më pas me veprime të dhunshme nga ana e personit, i cili më pas ka refuzuar dhe shoqërimin për në polici.

E gjithë situata është filmuar nga vajza e mitur, e cila ka shpërthyer në të qara dhe të bërtitura nga frika, por në asnjë moment askush nuk ka ndërhyrë për të qetësuar të miturën apo për të ndrequr situatën. Personi L. Sh., është vënë nën hetim i akuzuar për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“Kundërshtoi me dhunë punonjësin e Policisë gjatë detyrës, procedohet penalisht drejtuesi i mjetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde narkotike kanabis dhe një mjet prerës (thikë).

Pas konstatimit të një shkeljeje të Kodit Rrugor nga një drejtues mjeti, në vendin e quajtur “Rrethi i Çolës” (rast ky i bërë edhe publik në disa media), punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor e ka njohur drejtuesin, shtetasin L. Sh., me shkeljen e kryer nga ana e tij. Punonjësi i Policisë është hasur fillimisht me kundërshtim me fjalë dhe më pas me kundërshtim me veprime të dhunshme nga shtetas L. Sh. Në këto kushte, është bërë menjëherë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Në përfundim të veprimeve proceduriale, nga Oficeri i Policisë Gjyqësore i Prokurorisë, nisi procedimi penal në ngarkim të shtetasit L. Sh., 45 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njofton policia.