Besimtarët ortodoksë në Vlorë kanë kremtuar të Premten e Zezë, një ditë me rëndësi të veçantë në kalendarin fetar, e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në Kryq.
E Premtja e Madhe, apo e Premtja e Zezë, është një ndër ditët më të dhimbshme dhe njëkohësisht më të shenjta për besimtarët e krishterë, pasi i kushtohet sakrificës së Krishtit për shpëtimin e njerëzimit.
Ceremonia është zhvilluar në Kishën “Shën Thodhori” në Vlorë, ku besimtarë të shumtë janë mbledhur për të marrë pjesë në ritet fetare dhe për të shprehur përkushtimin e tyre. Atmosfera ka qenë e qetë dhe reflektuese, e shoqëruar me lutje dhe këngë kishtare tradicionale.
Pas përfundimit të shërbesës, është zhvilluar edhe dalja e Epitafit nga Kisha, një ritual simbolik që përfaqëson varrimin e Krishtit. Procesioni ka vijuar nëpër rrugët e qytetit, i shoqëruar nga besimtarë dhe qytetarë të shumtë, të cilët me përulësi dhe respekt kanë ndjekur këtë traditë të hershme fetare.
Lajmi kryesor:
E premtja e Zezë/ Procesioni i Epitafit në Tiranë e rrethe, besimtarët lutje e mesazhe paqeje në vigjilje të Pashkës










