Punonjësit e sektorit të pastrimit në Vlorë kanë dalë në protestë dhe kanë pezulluar punën. Mungesa e kushteve të punës dhe mosdhënia e antidotës, një ndihmë e vogël ekonomike mujore, i ka çuar këta punonjës në protestë, duke kërkuar zgjidhje për problematikat e tyre.

Gjatë protestës pranë ndërmarrjes, ata kanë kërkuar që situata të marrë zgjidhje sa më shpejt. Punonjësit janë shprehur të indinjuar edhe me drejtuesit aktualë të ndërmarrjes së pastrimit, të cilët, sipas tyre, nuk i dëgjojnë dhe nuk u japin zgjidhje shqetësimeve që ata kanë. Vlera e antidotës është ulur nga 7 mijë lekë të reja në 4 mijë lekë në muaj, por edhe këtë ata nuk po e përfitojnë. Punonjësit kanë kërkuar edhe kushte më të mira, pasi po rrezikojnë, ndërsa kanë theksuar se nëse vlera që përfitojnë prej 4 mijë lekësh nuk do të hidhet, atëherë protesta e tyre do të vijojë.

Punonjësit e turnit të parë të sektorit të pastrimit kanë pezulluar këtë të martë punën, ndërsa kanë theksuar se do të bashkohen edhe punonjësit e turneve të tjera nëse problematika e tyre nuk merr zgjidhje.