Izraelitët e larguar nga Gaza më 2005 duan të kthehen pas mbarimit të luftës

Izraelitët e larguar nga Gaza më 2005 duan të kthehen pas mbarimit të luftës

Izraelitët që kanë jetuar në vendbanimet e Rripit të Gazës deri në vitin 2005, kur ushtria izraelite u tërhoq nga ky territor, tani po planifikojnë të kthehen atje. Ndonëse qeveria izraelite nuk ka shprehur mbështetjen për këtë lëvizje, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Jeruzalem, Yan Boechat, shumë izraelitë mendojnë se lufta e Izraelit kundër Hamasit është një mundësi për kthimin në vendbanimet e tyre të braktisura.

Për mijëra izraelitë që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005, kur u detyruan të largoheshin dhe kur Izraeli tërhoqi të gjitha forcat e tij nga ky territor, janë rritur shpresat e rikthimit në vendbanimet e tyre të vjetra pas mbarimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Qeveria e Izraelit nuk ka dhënë sinjale se kthimi i tyre në Gazë do të jetë i mundur.

“Mund ta shikoni në hartë se si ajo zonë është ende e pabanuar. Atje mund të ndërtohet një qyteti i mirë dhe i madh, ndoshta për hebrenjtë ultra-otodoksë, të cilët duan të jetojnë atje.”

Anita Tucker ka lindur në Nju Jork, por në vitet 1960 ajo u zhvendos në Izrael dhe jetoi në Rripin e Gazës për 30 vite.

Ajo ishte pjesë e kolonëve, që qeveria izraelite i dërgoi në Rripin e Gazës në vitet 1970 për të zhvilluar sektorin e bujqësisë. Izraeli ndërtoi rreth 20 vendbanime në Gazë, shumica e të cilave menaxhoheshin nga grupet fetare.

Në mesin e tyre ishte edhe Orna Fridman, e cila u vendos në Rripin e Gazës në vitin 1982, menjëherë pasi u martua. Në atë kohë shumë izraelitë po largoheshin nga Gadishulli i Sinait, pas arritjes së marrëveshjes së paqes mes Egjiptit dhe Izraelit.

“Mes viteve 1982 dhe 1995, Gaza ishte një zonë e qetë, paqësore, e bukur, me pamje të bukur të detit dhe një vend shumë i mirë për të jetuar. Njerëzit që vinin për të na vizituar thoshin se Gaza dukej si një vendpushim”, thotë ajo.

Por në mes të viteve 1990, ajo thotë se gjendja filloi të ndryshonte. Dhuna u bë rutinë, veçanërisht pas kryengritjes së parë të palestinezëve. Shumë izraelitë, që jetonin në Rripin e Gazës, thonë se vendimi i Izraelit për t’u angazhuar në bisedime të paqes me palestinezët ishte një gabim, që u ndryshoi atyre jetën.

“Procesi i Oslos dhe marrëveshjet e Oslos të viteve 1993, 1994 dhe 1995 ishin të tmerrshme. Gaza dhe Xheriko ishin në qendër të vëmendjes.”

Debbie Rosen ishte zëdhënëse e rreth 10 mijë hebrenjve që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005. Shumica e tyre kundërshtuan vendimin e Izraelit për t’u larguar, duke nxitur shpërthimin e protestave në të gjitha vendbanimet e tyre në Rripin e Gazës.

“U evakuuam nga shtëpitë në Rripin e Gazës, 22 komunitete, 10 mijë banorë. U detyruam të largoheshim nga shtëpitë tona”, thotë ajo.

Pas largimit nga Gaza, zonja Fridman u vendos në vendbanimin Mevo Horon në Bregun Perëndimor. Ajo dhe izraelitë të tjerë, që kanë jetuar në Rripin e Gazës deri në vitin 2005, emërtuan rrugët e lagjeve të tyre me emra të zonave ku kishin jetuar më parë. Ajo dhe shumë të tjerë besojnë se Zoti ua kishte dhënë hebrenjve tokën, që ata e kishin pushtuar.

“Nëse popullata arabe është gati ta kuptojë se kjo është toka jonë, shtëpia jonë dhe të sillen si fqinj të mirë, ne mund të jetojmë së bashku. Por ata duhet ta kuptojnë se kush është pronari i kësaj toke.”

Zonja Fridman thotë se ajo është e gatshme të kthehet në Rripin e Gazës menjëherë pasi ai territor të kontrollohet nga forcat izraelite. Në shtëpinë e saj, ajo mban fotografi dhe kujtime të tjera nga jeta në Gazë. Pas zhvendosjes nga Gaza ajo mbolli një pemë ulliri pranë shtëpisë së saj në Bregun Perëndimor.

Edhe Anita ka në shtëpinë e saj fotografi dhe gjëra të tjera nga jeta në Gazë. Por ndryshe nga zonja Fridman, ajo nuk ka shpresë se bashkëjetesa me palestinezët do të jetë sërish e mundur.

“Nuk është aq mirë t’i vrasim të gjithë. I thashë një gazetari gjerman, që një mënyrë më njerëzore do të ishte t’i dërgojmë me anije në Gjermani. Ku është problemi, ju jeni shumë njerëzorë, merrni të gjithë palestinezët. Por, ai u përgjigj, duke thënë jo, jo.”

Anita Tucker jeton në një zonë rurale në Izraelin qendror, ku të gjithë banorët janë të ardhur nga Gaza. Ajo thotë se ata tashmë po bëjnë plane për ndërtimin e qyteteve të reja në Rripin e Gazës, pas mbarimit të luftës.

“Ne kemi filluar punën, po bisedojmë me arkitektë dhe njerëz, që do të studiojnë hartat për të identifikuar vendbanimet e vjetra dhe zonat ku do të bëhen ndërtimet e reja në të ardhmen”, thotë ajo.

Qeveria izraelite nuk ka bërë deklarata lidhur me synimet e kolonëve si Orna Fridman, Anita Tucker, Debbie Rosen dhe të tjerëve për t’u kthyer në vendbanimet e tyre të vjetra në Rripin e Gazës. Ajo nuk ka dhënë hollësi as për atë që do të ndodhë me Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës me Hamasin./Voa

B.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Alidemsi: 30/11/2023 19:51

    Jam dakort qe te kthehen te gjithe izrealitet por bashke me keto te kthehen edhe palestinezet ne vedbanimet e tyre se nuk jan pak edhe ato .....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen