Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim kanë vjedhur mallra në një biznes në fshatin Batër të Matit.

Në pranga janë vënë M.H., 30 vjeç dhe Y.P., 31 vjeç, banues në Burrel, ndërsa në kërkim është shpallur K.N., 23 vjeç.

Sipas policisë, tre të rinjtë kanë marrë një sasi mallrash nga subjekti tregtar dhe dyshohet se gjatë vjedhjes kanë përdorur edhe mjete të forta dhe një automjet për t’u larguar.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar mallrat e kallëzuara si të vjedhura, automjeti i përdorur në ngjarje, një aparat celular, si dhe një bajonetë dhe një dorezë metalike. Po ashtu janë gjetur edhe veshje që dyshohet se janë përdorur gjatë vjedhjes.

Hetimet vijojnë për të verifikuar nëse këta persona janë të përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Dibrës.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit

Vodhën një biznes në fshatin Batër, falë veprimeve të shpejta hetimore identifikohen, lokalizohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar, ndërsa shpallet në kërkim një tjetër.

Gjatë operacionit u gjet dhe u sekuestrua një sasi malli e kallëzuar si e vjedhur, një automjet i përdorur në ngjarje, 1 aparat celular, 1 bajonetë metalike, 1 dorezë metalike, si dhe veshjet e autorëve që dyshohet se janë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, menjëherë pas njoftimit për një rast vjedhjeje në një biznes në fshatin Batër, organizuan punën për zbardhjen e ngjarjes dhe për identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e autorëve.

Falë reagimit të menjëhershëm, në kuadër të operacionit policor “Limiti”, u bë e mundur arrestimi i shtetasve: 
* M.H., 30 vjeç;
* Y.P., 31 vjeç, banues në Burrel, si dhe u shpall në kërkim shtetasi K.N., 23 vjeç.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur një sasi mallrash në një subjekt tregtar. Vijojnë hetimet për dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjeve të ndodhura më parë, që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.