Një 31-vjeçar nga fshati Vanë ka rënë në prangat e policisë së Sarandës . I riu vodhi 1 automjet të OSHEE-së dhe dhunoi punonjësin që e drejtonte. Gjatë kontrollit fizik 31-vjeçarit iu gjet edhe një thikë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Delvinë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë dhe me shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, finalizuan operacionin e koduar “Thirrja”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi H. Z., 31 vjeç, banues në fshatin Vanë. Ai u lokalizua dhe u kap pak orë pas kallëzimit të një punonjësi të OShEE-së, se një shtetas e kishte dhunuar për t’i vjedhur automjetin e kompanisë, i cili u gjet dhe iu kthye subjektit, në zbatim në urdhrit të prokurorit. Më tej, gjatë kontrollit fizik, shtetasit H. Z. iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë)”, njoftoi sot policia.

Në pranga kanë rënë edhe dy persona të tjerë. Një 26-vjeçar u arrestua pasi iu gjet një pistoletë pa leje me krehër dhe me fishekë në makinën që po lëvizte.

“Shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", finalizuan operacionin e koduar "Pasagjeri", në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 26 vjeç, banues në fshatin Babrru, Tiranë. Gjatë kontrollit fizik, kryer pas ndalimit të taksisë me të cilën lëvizte, 26-vjeçarit iu gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me krehër dhe me fishekë, që posedohej pa leje”, informoi sot policia.

Ndërkohë një 30-vjeçar nga Belshi u arrestua në Qafë Botë, pasi po transportonte me automjet tip "Volkswagen", 5 shtetas (4 nga Shqipëria, 1 nga Kosova), të cilët synonin të kalonin ilegalisht, në Greqi.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë finalizuan operacionin e koduar "Barriera", në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë, në afërsi të PKK Qafë Botë, shtetasi M. Q., 30 vjeç, banues në Belsh, pasi transportonte me automjeti tip "Volkswagen", 5 shtetas (4 nga Shqipëria, 1 nga Kosova), të cilët synonin të kalonin ilegalisht, në Greqi, sepse kishin pengesa për lëvizjen në zonën “Schengen”, thuhet më tej në njoftim.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë