Një 21-vjeçar është arrestuar në Manzë të Durrësit. Sipas policisë, dyshohet se në periudha të ndryshme, ai ka vjedhur në servisin e një shtetasi, pjesë këmbimi për automjete, me vlerë rreth 8000 euro.
Këto pjesë këmbimi, 21-vjeçari ia ka shitur një personi tjetër, i cili u procedua për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.
Ndërkaq, nga këqyrja e celularit të 21-vjeçarit, u konstatuan faqe për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak ndaluan me iniciativë shtetasin E. D., 21 vjeç, banues në Manëz, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme, ka vjedhur në servisin e shtetasit K. K., pjesë këmbimi për automjete, me vlerë rreth 8000 euro, të cilat më pas ia ka shitur shtetasit D. Sh. Nga këqyrja e celularit të shtetasit E. D., u konstatuan faqe për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.
Për shtetasin D. Sh. nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Celulari dhe pjesët e këmbimit për automjete u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftimin e policisë.
Komente










