Deputetja e PD, Albana Vokshi ka kërkuar që kryeministri Edi Rama të shkarkojë të gjithë ministrat që i cilëson si të papërgjegjshëm pasi komisari Arjan Tase shkaktoi vdekjen e 7-vjeçares në plazhin e Potamit. Reagimi i saj vjen si kundërpërgjigje për Ramën, të cilit i thotë se në vend që të kërkojë falje, akuzon kundërshtarët politikë.

“Vrasja tragjike nga komisari skafist e trafikant i policisë, ka tronditur thellë shqiptarët kudo janë. Por prej dy ditësh, Edi Rama, pavarësisht se vogëlushen e vrau me skaf Komisari i Shtetit, në një vend në të cilin kurrë nuk mund dhe nuk duhej të ndodhte, në vend të kërkojë një mijë herë ndjesë, të shkarkojë menjëherë ministrat e tij të papërgjegjshëm, vërsulet arrogant, frikacake gojështhurur, duke akuzuar kundërshtarët politikë dhe mediat me epitete të denja vetëm për të, me të cilat vetëm sa nxjerr zbuluar veten për përgjegjshmërinë e plotë, dështimin total te tij në vrasjen tragjike të Jonadës nga Komisari i tij skafist.  

Me këtë rast Partia Demokratike deklaron se tragjedia që i mori jetën vogëlushes Jonada Avdia, dje në plazhin e Himarës, nuk është përgjegjësi vetëm e kryepolicit Arjan Tase. Është një zinxhir i tërë institucionesh shtetërore që kanë përgjegjësi direkte. Institucione, të cilët kanë eprorë e vartës, janë pjesë e vrasjes së kryer dje në bregdetin shqiptar, e që vjen pas dy rasteve të tjera të ditëve të fundit.

Ne nuk do të shpërndajmë përgjegjësitë, dhe as të luajmë ‘politikën e vdekjes’, por duam e do të ngremë zërin. Ne do të sigurohemi, që ngjarje të tilla të mos përsëriten! Është pandëshkueshmëria. Është heshtja dhe mosreagimi prej ngjarjeve të mëparshme. Është propaganda qeveritare e jo zbatimi i ligjit që çon në përsëritjen tragjike të tyre. Është moszbatimi i akteve nënligjore që vetë qeveria e Edi Ramës ka miratuar”, tha Vokshi.

Ndër të tjera renditi institucionet qendrore e vendore që janë përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve.

“Për këtë duam të rikujtojmë një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2014, “për Sigurinë në Plazhe”. Ky vendim bën përgjegjës, jo vetëm policin Arjan Tase, që “shtiu me skaf” në mes të plazhit, por edhe tërë zinxhirin e institucionet qendrore e vendore përgjegjëse për sigurinë e qytetarëve në uonaz bregdetare turistike:

Ja edhe lista e tyre:

– Ministria e Brendshme dhe strukturat policore janë përgjegjësit kryesorë për ngjarjet tragjike në bregdet. Prania e mjeteve lundrues shumë afër bregut, apo ngjitur me plazhet, është papërgjegjshmëri që ka kaluar e vazhdon të kalojë pa vëmendje e pa ndëshkim.

– Ministria e Mbrojtjes, nëpërmjet Rojës Bregdetare, nuk rezulton të ketë evidentuar qarkullimin e një mjeti lundrues, me fuqi 600 kubikë.

– Ministria e Infrastrukturës, nëpërmjet Drejtorisë Detare, nuk rezulton të ketë kryer verifikime për madhësinë dhe fuqinë motorike të mjetit, në bazë të të cilave përcaktohet edhe hapësira ujore ku mund të qarkullojë.