Presidentja e Komisionin Evropian Ursula von der Leyen, ka thënë se do të jetë e pamundur të parashikohet një e ardhme për BE-në pa Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë si anëtarë, pjesërisht për të reduktuar ndikimin rus në Evropën Lindore dhe Qendrore.
Nëse vendeve të tjera si Rumania dhe Bullgaria u deshën 11 vjet për t'u bërë anëtarë të BE-së, duke u anëtarësuar në 2007, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, la të kuptohet se e ardhmja e kandidatëve të rinj për anëtarësim do të vendoset me shpejtësi.
'Dëshiroj ta vazhdoj eksperimentin duke u përpjekur se si do të duket Bashkimi Europian në të ardhmen. A mund ta imagjinojmë BE-në pa Ukrainën, Moldavinë, pa Ballkanin Perëndimor? Dhe ato pjesë të Europës të mbeten nën ndikimin e Rusisë dhe Kinës? E pamundur! Kështu që drejtimi i rrugës sonë është i qartë.', tha ajo, teksa ishte e pranishme në ceremoninë e marrjes së presidencës spanjolle të BE-së.
Kjo do të thotë që pjesa tjetër e vendeve të fillojë bisedimet me BE-në e për rrjedhojë të ndodhë edhe zgjerimi i pashmangshëm.
‘Tani duhet të fillojmë të mendojmë se si po sigurohemi që Evropa të jetë shtëpia; se ato vende janë pjesë e Bashkimit Evropian dhe këto janë vendime parimore që duhet të marrim, duhet të diskutojmë se si do të duket procesi i vendimmarrjes. Duhet të diskutojmë se si do të ndahen fondet e përbashkëta që kemi, cilat janë politikat e përbashkëta që ne ndjekim’, tha ajo duke shtuar se këto pyetje duhet të adresohen “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Ndërsa kryeministri spanjoll, Pedro Sanches u fokusua më shumë në reformimin e BE-së.
“Çështja e zgjerimit është në tryezë. Sigurisht që do të ketë një debat lidhur me reformën institucionale. Por pyetja kryesore që duhet të bëjmë është se ku e shohim ne BE-në në 4 apo 10 vite. Në pikëpamjen time, besoj se duhet të ecim përpara drejt një Bashkimi Europian më tepër federal. Duhet të ndajmë më shumë politika të përbashkëta, të ndajmë më shumë sovranitet. Duhet të gjejmë përgjigje të përbashkëta për sfida të përbashkëta, me të cilat shoqëritë dhe vendet tona po përballen.”- tha Sanchez.