Ndërsa në Komisionin për Integrimin Europian po diskutohej projekt-ligji “Për Kodin Ajror”, Taulant Balla ka ngritur shqetësimin e shumë pasagjerëve, kryesisht emigrantë shqiptarë në Itali por edhe turistë italianë, lidhur me vonesat, anulimet e fluturimeve që lidhin Italinë me Shqipërinë gjatë muajve të sezonit të lartë Qershor – Gusht dhe Dhjetor-Janar”.

Ai kërkoi që Autoriteti i Aviacionit Civil të japë një shpjegim me shkrim lidhur me arsyet pse kanë ndodhur këto vonesa dhe çfarë masash janë marrë nga Autoriteti i Aviacionit Civil.                          

“Me vëmendjen tek njerëzit, ngritëm sot në Komisionin e Integrimit Europian gjatë diskutimit të projekt-ligjit “Për Kodin Ajror” shqetësimin e shumë pasagjerëve, kryesisht emigrantë shqiptarë në Itali por edhe turistë italianë, lidhur me vonesat, anulimet e fluturimeve që lidhin Italinë me Shqipërinë gjatë muajve të sezonit të lartë Qershor – Gusht dhe Dhjetor-Janar”

Taulant Balla

Sipas Ballës, shqetësimet lidhen me mos respektimin e të drejtave të pasagjerëve të cilat duhet të trajtohen në përputhje me nenet 138 dhe 140 të Kodit Ajror të RSh, si edhe aktet nënligjore në ndjekje të tij, përkatësisht Urdhëri i Ministrit “Për kompensimin dhe asistencën e pasagjerëve në rastin e mospranimit në bord të avionit dhe anulimit ose vonesës gjatë fluturimeve”, transpozim ky i Rregullores Evropiane Nr. 261/2004, për rregullat e përbashkëta për kompensimin dhe ndihmën për pasagjerët, në rast anomalish në operim prej shoqërive ajrore.

Komisioni miratoi propozimin për t’i kërkuar Autoritetit të Aviacionit Civil një informacion të plotë për masat e marra në adresimin e këtij problemi, siç thotë edhe Balla.