Vonoi policinë në Port,pezullohet
zv.drejtori, SHKB nis kontrollet

Vonoi policinë në Port,pezullohet<br />zv.drejtori, SHKB nis kontrollet
TIRANË - Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri u ndje i sikletosur paraditen e djeshme pasi mori informacionin se shoqëria civile po protestonte për anijet skrap në portin e Durrësit.
I kërkoi drejtorit të Policisë së qarkut të nisej menjëherë në Port, por ky i fundit, duke qenë se ishte në një ngjarje familjare, kishte marrë leje.

Menjëherë u vu në kontakt me zv,drejtorin e Policisë së qarkut Artan Hasanaj, pasi kontaktoi me drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Por numri dy i uniformave blu, do ta kishte marrë me shaka urdhërin, përderisa vonesa në dërgimin e policisë në vendngjarje, i kushtoi atij pezullimin nga detyra, vetëm një orë më vonë pasi kishte marrë urdhërin me telefon.

“Nuk kishte çuar policët në port, edhe pse aty po ndodhte një situatë. Makinat e policisë, po vonoheshim më shumë se 30 minuta” tha një zyrtar i Drejtorisë së Policisë së shtetit.

Jo vetëm kaq, por nisur edhe nga situata disi paradoksale, kur në Port, nën hundën e policisë, kishin hyrë dy anije pa dokumentacion për tu shkrirë për skrap, ministri Tahiri urdhëron menjëherë dërgimin e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, për të hetuar, analizuar dhe nxjerrë përgjegjësitë e gjithë vijës drejtuese dhe zbatuese të policisë së Portit të Durrësit. Kontrolli filloi ditën e djeshme, dhe në ditët në vijim, do të dilet me një raport konkret sesi ka qenë në të vërtetë situata.

APATIA
Urdhri për pezullimin e Hasanajt u dha për mosveprimin e antikrimit ekonomik, një sektor në varësi direkt të zëvendësdrejtorit të policisë për krimet. Nga informacionet e mbledhura ka rezultuar se anijet kishin hyrë në port, para dy ditësh, ndërkohë që menjëherë pas ankorimit të tyre, ishin kryer kontrollet e nevojshme, si nga policia portale, ashtu edhe nga punonjësit e doganës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia ka rezultuar se për anijen, e cila ishte destinuar për skrap, nuk kishte asnjë dokument. Në këto kushte, policia duhet të kishte bërë bllokimin e tyre, por ky veprim nuk është kryer nga uniformat blu.

Burimet policore bënë të ditur se poseduesit e anijes për skrap, kanë pretenduar se nuk i kishin dokumentet me vete dhe që sot do ua vinin në dispozicion, kështu që policia nuk ka kryer procedurat e bllokimit, por ka pranuar që të presë.

Nga ana tjetër, policia tha se Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, do të kryejnë një hetim mbi këtë rast për të nxjerrë përgjegjësit e shkeljeve të mundshme, që janë kryer në kundërshtim me ligjet në fuqi. Kjo do të thotë se nëse rezulton se nuk është zbatuar ligji dhe është lejuar ankorimi nëpërmjet abuzimit të punonjësve të policisë, atëherë nuk do të jetë vetëm nëndrejtori i policisë si përgjegjës i kësaj shkelje, por edhe vartës të tij, si shef i sektorit të antikrimit ekonomik dhe specialistët përkatës. Gjithashtu, grupi i punës do të shikojë edhe përgjegjësinë e policisë kufitare në Durrës, e cila ka në juridiksion portin.

Megjithatë, urdhri për pezullimin e nëndrejtorit të policisë së Durrësit nuk ka mbërritur në Drejtorinë e Policisë së këtij qyteti. Burimet zyrtare të policisë thanë se nuk janë vënë në dijeni të një urdhri të tillë. Sipas tyre, Hasanaj vazhdon detyrën, ndërkohë që edhe nga Ministria e Brendshme, apo Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk ka pasur ndonjë informacion zyrtar në lidhje me këtë çështje. Por, pas verifikimeve që do të kryhen nga grupi i punës, nëse zëvendësdrejtori i policisë do të ndëshkohet, atëherë ai duhet të kalojë nëpërmjet Komisionit të Apelimit në Policinë e Shtetit, ku do të japë edhe pretendimet e tij për dyshimet e ngritura ndaj tij për anijen e ankoruar.

Pezullimi
Pezullimi është kryer menjëherë pas bllokimit të dy anijeve, të cilat do të ktheheshin për skrap brenda portit të Durrësit. Sipas të dhënave nga policia, urdhri për pezullimin e Hasanajt është dhënë për mosveprimin e antikrimit ekonomik, i cili është një sektor në varësi të zëvendësdrejtorit të policisë për krimet

Shkrimi u publikua sot (29.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

'Kam lexuar çdo gjë nga Kadare', Preç Zogaj në 'Frontline Interview': Nobelin e meritonte! Ka pasur ëndërr Shqipërinë e Madhe, e vetmja opozitë në diktaturë

'Kam lexuar çdo gjë nga Kadare', Preç Zogaj në 'Frontline Interview': Nobelin e meritonte! Ka pasur ëndërr Shqipërinë e Madhe, e vetmja opozitë në diktaturë