VOSKOPOJË - Voskopoja çel sezonin turistik me rrugë të shkatërruara duke ju ofruar në këtë mënyrë banorëve të saj, por edhe turistëve të shumtë një udhëtim aspak të rehatshëm. 7 km rrugë në aksin rrugor që të çon në zonën turistike të Voskopojës, konkretisht nga Korça e deri në dalje të fshatit Voskopojë, është tërësisht e shkatërruar dhe me gropa,ndërkohë që automjetet zhyten mes tyre.

Në gjendje të mjerueshme janë dhe rrugët kryesore në këtë fshat si dhe kalldrëmet të cilat kanë nevojë për ndërhyrje urgjente. Gjendja aktuale e rrugëve në këtë zonë turistike dëshmohet nga vetë banorët e zonës,por edhe qytetarë të tjerë të cilët ashtu siç do vit kanë marrë pjesë në festën e përvitshme të Shën Prodhomit që ka hapur dhe siparin e sezonit turistik në Voskopojë.

Ndërkohë gjendja aktuale e rrugëve në fshatin turistik të Voskopojës,një prej zonave më të frekuentuara gjatë sezonit të verës në qarkun e Korçës është pranuar dhe nga vetë kryetari I komunës Nexhip Bacelli. Nga ana e tij kreu i kësaj komune ka apeluar për çelie urgjente të fondeve, çka do t’i jepte një zgjidhje problemit,ndërsa Voskopojës do t’i kthente rrugët e munguara duke ndikuar pozitivisht dhe në rritjen e numrit të turistëve.

(di/im/shqiptarja.com)