Kur nisi puna për votën e diasporës, KQZ i deklaroi Kuvendit një pritshmëri prej 100 mijë shqiptarësh që do të regjistroheshin nga jashtë vendit. Ndaj kryekomisioneri Ilirjan Celibashi e bindi qeverinë të heqë mënjanë 5 milionë euro për të mbuluar shpenzimet totale për këtë numër votuesish përmes postës.

Por sot, shifra e artë prej 100 mijë zgjedhësish të regjistruar, u arrit.

KQZ transmetoi shifrën domethënëse, duke bërë thirrje që aplikimet të vazhdojnë pasi regjistrimi është i hapur deri më 4 mars.

Mbi 28 mijë votues nga diaspora, nuk e kanë kaluar me sukses provën në KQZ, edhe pse shumë prej tyre e kanë provuar dy ose më shumë herë ta bëjnë aplikimin siç duhet.

Të gjithë të refuzuarit mund të aplikojnë sa herë të duan, pasi nuk ka kufizime se sa herë mund ta provosh.

Ilirjan Celibashi u pyet nga Report TV, se si do të veprohet me përballimin e kostos dhe a do të gjenden para për të paguar postën për votuesit e tjerë që do të shtohen përtej shifrës së 100 mijëshit.

Ai tha se qeveria ka garantuar se do ta shtojë fondin, në rast se zgjedhësit e regjistruar e kalojnë këtë shifër, sikundërse nuk përjashtohet një negociatë me kompaninë postare që do të fitojë tenderin për të shpërndarë nëpër botë zarfet me fletë votimi, e do i kthejë sërish në Shqipëri.