Kryetari i Partisë Republikane, aleatja historike e PD-së, Fatmir Mediu, në një intervistë të dhënë për Report Tv, u shpreh se plani i Qeverisë për të mundësuar votën e emigrantëve më 25 prill nuk duhet të pranohet.  Sipas tij opozita do të ishte miope nëse do ishte dakord me këtë.

"Si do ta bëjmë votimin e emigrantëve? Të na e thotë Pandeliu. Ne s'po garantojmë dot zgjedhje të lira dhe të ndershme këtu. Ka kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri? Nuk ka. Këtë nuk e themi vetëm ne por e thotë Bundestagu dhe BE.  Emigrantët patjetër duhet të votojnë por duhet të garantohen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nuk mund të zgjidhet kjo çështje për 2 muaj nga Pandeliu dhe Taulanti apo Edi. Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në mënyrë të njëanshme.  Opozita do të jetë miope të pranojë një proces të kontrolluar tërësisht nga qeveria. Nëse nuk garantojmë kushtet ky do të ishte një manipulim  i procesit. Unë padyshim që dua të votojnë emigrantët sepse mbi 90% e emigrantëve janë anti socialist, anti qeveri, kanë një kulturë shumë herë më të qartë, por ne nuk mund të futemi për shkak të kësaj në një proces të manipuluar paraprakisht", tha Mediu.

Duke folur për mënyrën dhe koalicionet se si opozita del në zgjedhjet e ardhshme Mediu tha që ka një afat që të vendoset sa më shpejt një gjë e tilllë.

"Takimin e fundit e kemi zhvilluar javën e kaluar dhe kemi konkluduar që brenda 10 ditëve duhet të finalizojmë marrëdhëniet për koalicionin me PD. Mendoj se është në interes të PD-së në radhë të parë që ta finalizojmë sa më parë bashkëpunimin. Është shumë e rëndësishme që të mos humbasim kohë. E kam thënë edhe më parë se PR ka interes elektoral të dalë më vetë por e rëndësishme është që ky koalicion elektoral duhet që të gjitha votat të kthehen në mandate. Sepse e kundërta kthehen në favor të Edi Ramës", tha Mediu, duke shtuar se nëse "PR do të kishte mundësinë për 20 deputetë dhe Rama Kryeministër dhe 2 deputetë Rama jo Kryeministër do të zgjidhja këtë të dytën", u shpreh ai.

Kreu i PR-së tha se Shqipëria ka nevojë për një fytyrë qeverisëse të re.

"Është e rëndësishme që të kemi një platformë politike të përbashkët, kjo është më e rëndësishme se ç'ofrojmë ne më shumë se Edi Rama.  Nga pikëpamje e profilit politik PR është më djathtas se PD. A ka një variant që  LSI do të ndërtojë një koalicion më vetë. Janë të gjitha variantet dhe duhen studiuar.  Basha mendonte se mund të ketë edhe një listë të vetme. LSI ka pasur një pozicion që mund të dalë edhe e vetme ose në koalicion me parti të tjera. Por sa më shumë ta studiojmë më shumë konfuziojmë veten ndaj është më mirë ta vendosim sa më shpejt. Çdo lloj varianti që e largon këtë qeveri është propabël por nga ana politike PR ka pasur gjithnjë koalicion me PD", tha Mediu.

Sipas tij partitë e vogla nuk janë hall i shtuar por burim votash që krijojnë mandate plus.


"Dhe i vetmi element  pozitiv që ka opozita është që PD ka aleatë shumë më tepër se PS.  Sa më të bashkuar të jenë partitë politike të opozitës aq më tepër shkojnë me qytetarët shqiptarë drejt fitores. E kundërta do t'i shërbente Edi Ramës dhe një regjimi të korruptuar", vijoi ai.

Në fund Mediu tha se PR ka tashmë një angazhim shumë të madh të rinisë, strukturat janë rifreskuar me të rinj.

"Së fundmi ne bëmë edhe një konferencë të gruas.  Të gjitha strukturat janë me njerëz të rinj, jo vetëm në Tiranë por në të gjithë Shqipërinë", tha ai.