Përveç gënjeshtrave të ricikluara e të përpunuara gjatë fushatës nga kandidatët e liderët politikë, një fjali “antologjike” që ka mbetur në kujtesën e elektoratit “pasiv”, është arsimimi cilësor. Të gjithë kandidatët dhe mbështetësit e tyre partiakë, e kanë gojën plot arsimim, duke premtuar hapjen e çerdheve, shkollave të reja, fakulteteve e universiteteve.

Secili kandidat që ka hyrë në vallen elektorale e ka në plan arsimimin, si kushtin bazë të zhvillimit qytetar e shtetëror. Mirëpo në substancë shumica e huqin konceptin për arsimim cilësor. Sipas tyre, “arsimim” nënkupton ndërtimin e sa më shumë shkollave, hapjen e universiteteve në secilën komunë, akreditimin e kolegjeve private, dhe në këtë proces nxjerrjen e sa më shumë njerëzve të diplomuar.

Mirëpo asnjëri politikan nuk e ka idenë se njësitë akademike nuk bëhen pa akademikë dhe pa kuadro. Universitetet në secilën komunë: Gjilan, Ferizaj, Gjakovë, Pejë, Prizren, Prishtinë e Mitrovicë nuk janë të nevojshme. Nuk është e nevojshme që t’i dërgohet secilit njeri universiteti afër shtëpisë, por duhet që logjika e studimit t’i mbillet në kokë secilit që dëshiron studimin.
Kjo çështje lidhet me një metaforë të një plaku në Karadak.

Një djalë i thotë gjyshit! – Bablok u bë mirë. E futa kokën në shkollë!

Ia kthen gjyshi. - Nip, duhet me futë shkollën në kokë, jo me hy në shkollë sa mos me të lagë shiu”...

Sipas kësaj metafore, në shkollë shkohet për të mësuar, ndërsa politikëbërësit e sotëm nuk e kanë këtë ide. Ata rrahin gjoksin se kush ka ndërtuar më shumë shkolla e kush po hap universitete. Ndërsa, edhe këto shkolla që janë ndërtuar pas luftës, shumica nuk i përmbushin kriteret evropiane, sepse nuk kanë as kabinete të shkencave e as hapësira të nevojshme për art e kulturë.

Një gjë që nuk duhet harruar, madje kërkon ndëshkim, është loja e “karambolit” me punonjësit e arsimit. Këta të fundit, sa herë që vijnë zgjedhjet shihen si depozitë e votave, prandaj në çdo katër vjet u premtohet rritja e pagave, ndërsa gjatë katër viteve të tjera luhet me ta sikurse “macja me miun”. Madje eksperimentuesit më të mëdhenj të Kosovës së pasluftës janë punonjësit e arsimit.

Duke u thirrur në sistemin e Bolonjës dhe në kurrikulat e reja, mësimdhënësit herë qiten në shoshë e herë në dërmon. Njëherë u thuhet se duhet të bëhet licencimi, ndërsa në këtë proces shumica nuk licencohen sepse, sipas atyre, në MASHT nuk po i plotësuakan kushtet. Ndërsa vetë këta të MASHT-it, siç thonë në Gjakovë “po lypin pelë për Rahovec” sepse nuk e dinë se çka duan.

Pastaj u thuhet arsimtarëve se me sistemin baçelor nuk janë të determinuar për shkollë të mesme, por duhet të shkojnë në shkollë fillore. Në fillore nuk i marrin sepse aty janë të moçmit me shkollë të larta ose profesorët me katërvjeçar. Prandaj duhet të shkojnë në master.

Atyre që kanë përfunduar pedagogjinë u thonë se kjo nuk është e mjaftueshme, me sistemin e ri duhet ta përfundoni mësuesinë. Në mësuesi ndërkaq i pranojnë një numër shumë të vogël kandidatësh dhe në këtë mënyrë krijohet infrastruktura për manipulime nga ana e komunarëve.

Ndërsa nëse e përfundojnë Fakultetin e Makinerisë, Fizikës apo Kimisë (drejtime deficitare) dhe dalin inxhinierë të këtyre lëndëve u thonë se nuk jeni adekuat për arsim dhe shkoni në master. Vetë ata që japin masterin thonë se ky është manipulim klasik me arsimtarët, dhe nuk e dinë shkakun ose edhe nuk e potencojnë atë.

Gjithashtu në Universitetin “Politik” të Prishtinës tallen me studentët duke ofruar herë tri vjet fakultet e herë katër vjet.
Prandaj ata njerëz dhe ata lloj politikanësh që sot rrahin gjoksin për sukses duhet të gjykohen për malverzimet që u kanë bërë arsimtarëve.
Në këtë luftë kundër eksperimentuesve që pa asnjë hezitim quhen “frankenshtajnët e arsimit”, i bashkohem Berat Buzhelës, se arsimimi i keq është sikurse gjysmë mjeku që të lë invalid, ose gjysmë hoxhe që të lë pa iman.

Prandaj eksperimentimi me arsimin është degradimi më i madh i shoqërisë në Kosovë, pasluftës. Ata që e kanë nisur keq eksperimentin nuk janë vetëm të kësaj qeverie, por edhe të qeverive të tjera, prandaj nga një copë faji e kanë të gjithë ata që sot po bëjnë fushatë për “arsimin cilësor”.