Përpos këmbënguljes së kryeministrit, zbatimi i Vetingut, si pjesë e marrëveshjes, u kërkua me forcë nga amerikanët, të cilët janë investuar si asnjëherë më parë për finalizimin e këtij procesi.
Sot, komisionet e posaçme parlamentare do të miratojnë 27 kandidatët për të gjitha organet e Vettingut, të cilat do të kalojnë në skanerin e trefishtë rreth 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.
Që 27 kandidatë të bëhen zyrtarisht anëtarë të organeve të Vetingut, kjo listë duhet të marrë 84 vota në Parlament. Por, në pamundësi të PS për të siguruar 84 vota, për shkak të listave dhe krisjes me LSI, vota e Partisë Demokratike do të jetë vendimtare për miratimin në bllok të kandidatëve.
Pra, finalizimi i zbatimit të Vetingu është në dorën e opozitës shqiptare. Përfaqësuesit e saj në komisionet ad hoc kanë kundërshtuar tre kandidatura, të cilat u miratuan dje për anëtarë të Kolegjit të Apelimit. Konkretisht, Partia Demokratike ka kundërshtuar kandidaturat e Ina Ramës, Sokol Çomos dhe Albana Shtylla, duke i konsideruar si kandidatë të Partisë Socialiste.
Ky qëndrim ishte sinjali i parë që paralajmëronte një rrëzim të mundshëm të listës në Kuvend. Por, i kontaktuar nga Shqiptarja.com, anëtari i PD në komisionin përzgjedhës, Flamur Noka, tha se nuk ka një vendim të partisë sa i takonin votës për kandidatët në seancë, duke lënë të hapur çdo opsion. Noka tha se qëndrimet e tij kanë qenë personale.
Tre skenarët
Tre janë skenarët e mundshëm për fatin e listës së kandidatëve për anëtarë të organeve të Vetingut. Referuar qëndrimeve publike për disa kandidatë, Partia Demokratike mund të votojë kundër listës në bllok, për shkak të prezencës së disa kandidatëve, të cilët nuk gëzojnë besimin e saj dhe që mund të përjashtojnë nga drejtësia gjyqtarë apo prokurorë të caktuar, të identifikuar si njerëz të PD. Për rrjedhojë, një votë, kundër do ta rikthente procesin në fazën fillestare. Së dyti, në mungesë të një konsensusi, Partia Demokratike mund të braktisë komisionin, duke ngrirë procesin, si gjatë periudhës së bojkotit. Por, për shkak të presionit të fortë ndërkombëtar dhe paktit politik Rama-Basha, ky skenar është më pak i mundshëm. Ndërkaq, së treti, Partia Demokratike mund të votojë në bllok, në seancën e ardhshme plenare, listën e kandidatëve, duke i hapur rrugë zbatimit të Vetingut.
Parlamenti 10 ditë afat
Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve në bllok me 3/5 e votave të të gjithë anëtarëve të votuar nga komisionet ad hoc. Në rast se Kuvendi nuk e miraton listën e kandidatëve në bllok, Kryetari i Kuvendit ia kthen atë komisioneve ad hoc për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes dhe dërgimin e një liste të dytë brenda 10 ditëve. Komisionet ad hoc të përzgjedhjes zbatojnë rregullat e parashikuara si në procesion e parë. Ndërkaq, Kuvendi, brenda 10 ditëve nga dërgimi i listës së dytë, mund ta rrëzojë në bllok listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve të tij. Në rast se lista nuk rrëzohet, kandidatët e përzgjedhur konsiderohen të zgjedhur. Në rast se lista rrëzohet nga Kuvendi, ngarkohen organet e parashikuara në këtë ligj të fillojnë procedurat për plotësimin e vendeve vakante, duke respektuar procedurat e parashikuara në Kushtetutë dhe në këtë ligj.
Pasojat e pashmangshme të Vetingut
Zbatimi i Vetingut është përcaktues për t’i hapur rrugë një procesi tjetër edhe më të rëndësishëm. Bëhet fjalë për ngritjen e institucioneve anti-korrupsion: Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale, për hetimin dhe ndëshkimin e korrupsionit elitar.
Ngritja e institucioneve në fjalë, parashikuar në ligjin e SPAK, është e ndërlidhur me zbatimin e ligjit të Vetingut të drejtësisë. Konkretisht, pika 5 e nenit 6 të ligjit për SPAK-un parashikon ngritjen e Komisionit të Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për gjyqtar dhe nëpunës civil gjyqësor në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për prokuror dhe personel administrativ në Prokurorinë e Posaçme, dhe për drejtor dhe hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit.
Asnjë kandidat nuk mund të emërohet në tre strukturat në fjalë pa kaluar në filtrin e këtij komisioni. Por, që ky komision të konstituohet, duhet që të jenë ngritur organet e Vetingut.
Në ligjin për SPAK ka disa afate që diktojnë ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Ligji për SPAK, po nën presionin e fortë të SHBA-BE është miratuar dhe ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2016. Pika, 4 e nenit 57 të ligjit për SPAK parashikon që Byrosë Kombëtare të Hetimit i sigurohet një mjedis i përshtatshëm pune dhe pajiset brenda katër muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Ky afat është tejkaluar, por ka disa afate të tjera, që detyrojnë ligjvënësit të zbatojnë këtë ligj. Prokuroria e Posaçme, Byroja e Hetimit dhe Gjykatat Speciale duhet të ngrihen të paktën 300 ditë pas hyrjes në fuqi të ligjit në rastin koret, deri në muajit gusht. Kjo për arsyen se ligjit parashikon që të gjitha dosjet e korrupsionit dhe krimit, objekt të SPAK, duhet ta kalojnë në duart e Gjykatave Speciale dhe Prokurorisë së Posaçme.
Procesi i Vetingut, përparësia e kontrollit
Njerëzit më të rëndësishëm të drejtësisë do t’i nënshtrohen të parët procesit të Vetingut. Nisur nga hierarkia, Vetingu do të nisë me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Deden, për të vijuar më tej me anëtarët e kësaj gjykate: Vladimir Kriston, Vitore Tushaj, Altina Xhoxhajn, Fatmir Hoxhën, Gani Dizdarin, Besnik Imerajn dhe Fatos Lulon. Pjesë e listës me subjektet e para që do t’i nënshtrohen Vetingut, do të jetë edhe kryeprokurori Adriatik Llalla.
Kreu i organit të akuzës duhet të justifikojë pasurinë me dokumentacion ligjor në të kundërt mund të largohet nga detyra para përfundimit të mandatit. Krerët e prokurorive në Tiranë dhe rrethe do të kenë gjithashtu përparësi për t’u kontrolluar në fillim të procesit të zbatimit të Vetingut.
Anëtarët e Gjykatës së Lartë do të jenë gjithashtu prioritet i Komisionit të Rivlerësimit dhe ekspertëve të SHBA-BE. Ndryshe nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, disa nga anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë deklaruar pasuri të “çmendura”, të cilat nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme të deklaruara.
Disa anëtarë të kësaj gjykate, e cila që nga themelimi i saj nuk ka dënuar qoftë edhe një zyrtar të juridiksionit fillestar, janë identifikuar si njerëzit më të pasur të sistemit të drejtësisë. Në këtë kuadër, kontrolli i ligjshmërisë së pasurive të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, mund të prodhojë edhe surprizat e para.
Në sitë do të kalojnë Xhezair Zaganjori, Ardian Dvorani, Arjana Fullani, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Majlinda Andrea, Andi Çeliku, Aleksandër Muskaj, Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Broci, Shkëlzen Selimi dhe Medi Bici.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com