Celibashi: Pjesëmarrja në votime deri tani 48.2%! Votimi i qetë, shqetësimet të karakterit teknik! Liderët të mos shpallin fitore para kohe, rezultati del për 48 orë

Procesi i votimit të 25 prillit ishte i qetë dhe se problematikat e vetme ta shfaqur ishin të karakterit teknik që u lidhën me pajisjen e identifikimit elektronik. Ora 19:00  shënoi mbylljen zyrtare të procesit të votimit , ndërsa ato qytetarët që ishin në radhë janë lejuar që të hedhin votën e tyre. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se rezultati për partitë dhe koalicionet do të dalë brenda 48 orëve, ndërsa thirrje kryesore e kishte për liderët e partive politike duke thënë që të ruajnë qetësinë, dhe të tregohen të duruar deri në daljen e rezultatit. Ai tha se nuk janë të pranueshme thirrjet për fitore në një kohë që procesi i numërimit nuk ka filluar ende.

Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, tha se në vetëm 167 qendra votimi nga 5199 gjithsej në të gjithë vendin ka probleme me procesin e identifikimit elektronik dhe procesi u bë manualisht. Nga 167 qendrat, 86 kanë munguar operatorët teknik, ndërsa në të tjera nuk kanë mundur ta kryejnë dot këtë proces, duke qenë se kjo teknologji përdoret për herë të parë në këto zgjedhje.

Probleme teknike ka pasur edhe në aplikacioni i KQZ duke sjellë vonesa në raportime mbi pjesëmarrjen në kohë reale, por që kjo nuk ndikon aspak në procesin e votimit. Këto probleme erdhën si rezultat i faktit se për herë të parë pjesëmarrja në votime po bëhet në kohë reale dhe kjo ndikon në ngarkimin e serverit të KQZ-së, por në asnjë moment nuk cenon sigurinë dhe saktësinë e procesit të votimit të qytetarëve.   

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:17
Celibashi: Pjesëmarrja në votim deri tani është 48.2%

 

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se pjesëmarrja në këto votime është 48.2%.

“Ka filluar procesi i numërimit në Pustec dhe ndërkohë është në përfundim procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore në vendet e numërimit të votave, KQZ po e ndjek këtë proces, procesi i transportit nga KQZ në KZQZ është në përputhje me procedurat, sa i përket pjesëmarrjes sipas të dhënave të sonduara 48.2%. Natyrshëm që rezultatin zyrtar do e kemi pasi të marrim informacionin nga të gjithë Qendrat e Votimit. Pajisja të funksiononte ofline, nuk kishte mundësi për të transmetuar direkt rezultatin e pjesëmarrjes, kështu kanë rënë dakord partitë. KQZ i ka dhënë të gjitha informacionet në kohë reale, dhe nuk ka munguar transparenca nga ana jonë”, tha Celibashi.

Ai ka bërë me dije se procesi i numërimit do të vijojë gjatë natës.

“Procesi i numërimit do të vijojë edhe gjatë natës, nuk ka asnjë arsye që të ndërpritet se janë të gjitha masat dhe pengesa, vetëm nëse do jenë arsye subjektive”, shtoi ai.

Ora 19:20
Celibashi: Brenda 48 orëve do të dimë se kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve

 

Kryekomsioneri Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat tha se brenda 48 orëve do të kemi rezultatin e fituesve të këtyre zgjedhjeve për subjektet politike dhe koalicionet.

KQZ ka marrë të gjitha masat që procesi i numërimit të përfundojë brenda 48 orësh për partitë politike dhe koalicionet dhe pasaj për kandidatët. Gjithë procesi i nxjerrjes së rezultatit do të jetë i vëzhguar i monitoruar nga komisioni qendror i zgjedhjeve dhe nga ndërkombëtarët edhe nga pikëpamja teknike do të jetë i vëzhguar. Të gjitha shifrat që do të dalin do t'u jepen subjekteve. Kodi Zgjedhor i jep të drejtën KQZ të bëjë verifikim të përmbatjes së kutive të votimit, edhe pas numrit. Të gjithë ata që do të jenë përgjegjësi për mospërputhjen do të kenë saksion penale. Këtë moment duhet ta përcjellim me qetësi. Duhet pak durim dhe brenda 48 orëve do të dimë se kush është fituesi i këtyre zgjedhjeve. Do të fillojmë menjëherë me procesin e numërimit.’- tha Celibashi.

Ora 19:19
Celibashi: Procesi i qetë, shqetësimet të karakterit teknik! Liderët politike të ruajnë qetësinë gjatë numërimit, të mos shpallin fitore pa dal rezultati

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se procesi ishte i qetë dhe se  problemet e vogla ishte e karakterit teknik. Ai u bëri thirrje partive politike që të mos nxitojnë të shpallin fitore pa u mbyllur procesi i numërimit dhe të ruajnë qetësinë.

 Procesi iu karakterizua nga qetësia, ato shqetësime të vogla ishin të karakterit teknik. në përgjithësi ishte një proces zgjedhor në përputhje me kodin zgjedhor. Ka qenë një tension i madh në KQZ në lidhje me procesin e identifikimi elektronik, pasi ishte shumë i vështirë në shumë pikëpamje dhe u realizua në një kohë të shkurtër. Në tërësi të procesit të votimit në 167 qendra votimi nuk u  përdor pajisja e identifikimit elektronik, 86  prej tyre nuk është përdorur se nuk janë paraqitur operatorët dhe në pjesën tjetër se përdorën dot. Ky projekt mund të konsiderohet me sukses të plotë. Tani që procesi i votimit ka përfunduar është moment i rëndësishmë që komisionerët ta përmbyllin me integritet punë e tyre pasi lidhet drejtpërdrejtë me integritetin e  votës dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre. U bëj thirrje partive politike që procesi në vijim ta përcjellin me qetësi dhe askush nuk e di se kush i ka fituar këto zgjedhe dhe duhet të vijojë numërimit për ta përcaktuar. Çdo deklarim i bërë pa nisur fare procesi i numërimit nuk i shërben qetësisë së procesit dhe sigurisë. I gjithë lidershipi politik të kuptojë se ka shumë nevojë për qetësi tani", tha Celibashi,

Ora 17:59
Identifikimi biometrik, Pelinku për Report Tv: Do të kemi një raport në përfundim të procesit për problematikat

 

Nënkomisionerja e KQZ-së Laelba Pelinku zbulon për Report Tv se do të ketë një raport në përfundim të procesit të zgjedhor për sa i përket implementimit të identifikimit biometrik.

‘Do të kemi një raport në përfundim të këtij procesi që do të evidentojë se cilat ishin arritje dhe problematika dhe problematikat do të kihen parasysh në zbatimin e këtij projekti në zgjedhjet e ardhshme. KQZ do të ketë kohën e mjaftueshme për të organizuar aty ku ka pasur këto lloj problematikash të cilat janë lidhur me pamjaftueshmërinë e kohës.

Kemi miratuar me udhëzim të përbashkët, udhëzimin ku është paraqitur problematikë me dokumentin që printohet nga pajisja. Në këto raste duke pasur parasysh që do të printohet një raport përmbyllës u është kërkuar komisionerëve që të evdientojnë se çfarë shfaqet në ekranin e paisjes. Dhe do të ketë një procesverbal për të gjitha të dhënat.’- tha Pelinku.

Pelinku tha se nëse do të ketë probleme që shkaktohen nga teknologjia në lidhje me procesin e votimit, do të pasohet me shtyrje të afatit kohor të votimit në mënyrë që çdo qytetar të shprehë vullnetin e tij.

‘Precedentët janë edhe pa teknologjinë, në momenti që janë evidentuar ende të pranishme votues në radhë pranë qendrës së votimit ka pasur vendim për shtyrjen deri sa të mbarojë edhe votuesi i fundit. Nëse do të ketë probleme, që nuk e besoj të ketë, që shkaktohen nga teknologjia dhe që sjellin vonesa kjo do të pasohet me shtyrje të votimit derisa votuesi të ushtrojë të drejtën e tij për të votuar.’- tha Pelinku.

Ora 16:23
KQZ: Vijon i qetë procesi i votimit, nuk ka asnjë problematikë

Zëdhësja e KQZ, Drilona Hoxhaj

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka dhënë detaje mbi ecurinë e procesit të votimit deri në këto momente. Ajo tha se situata paraqitet e qetë dhe se nuk ka asnjë problematikë. Në lidhje me pjesëmarrjen Hoxhaj u shpreh se aplikacioni tashmë është funksional për raportimin në kohë reale të pjesëmarrjes në votime.  

"Në vijim të përcjelljes së informacionit situata vijon të jetë e qetë, nuk ka asnjë problematikë, procesi i votimit vazhdon, pjesëmarrja siç e sqaroi dhe Celibashi, aplikacioni vijon të jetë funksional, komisionerët kanë filluar të transmetojnë të dhënat edhe për ecurinë në qendrat e votimit sepse ky aplikacion është kthyer në një platformë komunikimi. Deri tani, ora 15:00, pjesëmarrja është pak më shumë se 38%. E rëndësishme është që procesi të jetë i qetë", tha ajo.

Ora 15:31
Rregullohet aplikacioni i KQZ për raportimin në kohë reale të pjesëmarrja në votime, bllokimi zgjati pak minuta

Zgjat pak minuta problemi mbi bllokimin e serverit të KQZ për raportimin në kohë reale të pjesëmarrjes së votuesve. Aplikacioni është rregulluar dhe vijon përditësimin normalisht.

Ora 14:44
Celibashi: Në shkollën ‘Betim Muço’ në Tiranë grumbullime të shumta! Në 144 qendra votimi identifikimi po bëhet në mënyrë manuale

Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi teksa ka bërë një tablo të situatës së deritanishme se si po ecën procesi i votimit, tha se aktualisht janë 144 qendra votimi në të cilat identifikimi po bëhet në mënyrë manuale. Në shkollën ‘Betim Muço’ në Tiranë ai tha se ka pasur grumbullime të shumta.

“Aktualisht janë 144 qendra votimi në të cilat identifikimi po bëhet në mënyrë manuale, spo përdoret paisja elektronike. 83 qendra votimi janë duke e zhvilluar këtë proces sepse nuk janë paraqitur operatorët. Pjesa tjetër në total 144 sepse kanë patur probleme me paisjen. Në disa raste komisioni i qendrës së votimit nuk ka pritur këshillimin e ka kaluar në identifikimin manual. Ka raste sporadike pezullim të përkohshëm. Ka dhe problematika të tjera kryesisht konflikte ndër mjet anëtarëve të komisionit. Të gjitha këto konflikte në pjesën  më të madhe kanë qenë në kuadër të karakterit të administrimit zgjedhor. Kemi patur sinjalizm që në shkollën betim muço ka patur një grumbullim njerëzish edhe në ambientet e brendshme të shkollës gjë që është e palejueshme”, shtoi Celibashi.

Ora 14:27
Ilirjan Celibashi: Është sulmuar aplikacioni i KQZ, jemi duke punuar për planin B të raportimit

1619353682_celibashi.jpg

 Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se është sulmuar aplikacioni i KQZ për raportimin e rezultateve kohë pas kohe. Duhet sqaruar se ky sulm apo vonesë e shkaktuar është thjeshtë teknike dhe nuk ka asnjë ndikim në procesin e votimit të qytetarëve dhe nuk cenon votimin e qytetarëve.

“Numri 65 nga 5199 qendra votimi është numri i QV që kanë raportuar në këtë moment jo numri total i QV që kanë raportuar. Pra numri aty është numri i QV që kanë raportuar në moment. Pjesëmarrja që raportojmë është e sonduar mbi bazë të atyre QV që raportojnë informacion, nuk ka mbledhje kumulative të të gjitha QV në lidhje me pjesëmarrjen.  Kemi një numër të vogël QV që kanë raportuar për faktin se aplikacioni IKQZ është sulmuar pak më përpara dhe teknikët tanë po punojnë për ta zgjidhur, nëse nuk do zgjidhjet kemi plan B dhe C për të updetuar pjesëmarrjen. që prej një ore aplikacioni dhe sistemi i raportimit është i sulmuar nga pikëpamja informatike. Nuk kemi një numër të saktë të votuesve deri në orën 13:00 sepse bëhet mbi bazë sondimi. Nuk mblidhen të dhënat e të gjitha orëve sepse ka QV që raportojnë rregullisht por edhe që nuk raportojnë rregullisht. Po kjo nuk do të thotë që votuesit nuk kanë votuar”, tha ai.

Ora 11:09
Celibashi: Në një qendër votimi në Elbasan pati ngatërresë me fletët e votimit, u nis 2 orë me vonesë, por nuk do shtyhet

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi ka deklaruar se një qendër votimi në Elbasan ka patur një ngatërresë me dërgesën e materialeve zgjedhore dhe kësisoj votimi atje ka nisur me 2 orë vonesë. Bëhet fjalë për qendrën e votimit në Bradashesh. Tashmë situata është normalizuar dhe procesi vijon normalisht e nuk do ketë shtyrje.

“Në një qendër votimi në Elbasan ka patur një ngatërresë dhe tashmë kjo situatë është zgjidhur. Nga KQZ baza materiale përfshirë dhe fletën e votimit ka shkuar,  gjatë shpërndarjes duket se ka patur probleme, megjithëse kqz e ka zgjidhur. Afati nuk  do shtyhet sepse ndërprerja e votimit ka qenë më pak  se 2 orë”.

Ora 11:04
Vetëm në 142 qendra votimi ka probleme me leximin elektronik! Vetëm në një qendër votimi është ndërprerë procesi (VIDEO)

Në vetëm 142 qendra votimi nga 5199 gjithsej në të gjithë vendin ka probleme me procesin e identifikimit elektronik dhe procesi po bëhet manualisht.

"Kemi pasur disa probleme të karakterit teknik. Kjo është një pajisje që përdoret për herë të parë në Shqipëri. Por parë në tërësinë e vet.  Procesi i identifikimit elektronik duhet të vazhdojë edhe nëse printeri i pajisjes nuk funksionon. Ai është thjesht një element i shtuar.  5199 telefonata sqaruara mbi të gjitha problematikat dhe kanë marrë përgjigje sqaruese.  Kush largohet nga detyra nga operatorët apo komisionerët do të ketë përgjegjësi penale dhe KQZ. Partitë politike t'i lënë të bëjnë punën e tyre", ka thënë ndër të tjera në një dalje për mediat Kryekomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

 

Ora 10:04
Celibashi: Situata e votimit është e qetë, udhëheqësit politikë dhe drejtuesit e institucioneve kryesore të shtetit të demonstrojnë qetësi dhe maturi

Tre orë pas nisjes së procesit të votimit, Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi thotë se situata është e qetë, ku janë konstatuar vetëm shumë pak problematika teknike. Me një postim në Twitter, Celibash i bën thirrje kandidatëve për deputetë e në veçanti udhëheqësve politikë dhe drejtuesve të institucioneve kryesore të shtetit që të demonstrojnë qetësi dhe maturi në komunikimet publike.

"Situata e votimit është e qetë & me shumë pak problematikë teknike. Ftoj kandidatët për deputet, e në veçanti udhëheqësve politik & drejtuesve të institucioneve kryesore të shtetit të demonstrojnë qetësi, durim & maturi në komunikimet publike & kështu ti adresohen mbështetësve", shkruan Celibashi.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'